Josa: Besa s’ndikohet nga rivalët, të bëjmë detyrat dhe shikojmë punën tonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2024 | 9:27

Josa: Besa s’ndikohet nga rivalët, të bëjmë detyrat dhe shikojmë punën tonë

Besa e ka nisur mbarë sezonin e ri në Kategorinë e Parë, gjë të cilën e tregojnë më së miri shifrat e kavajasve në 5 javët e para të kampionatit me katër fitore dhe një barazim dhe golavarazh 8-0 të besuarit e trajnerit Mirel Josa kryesojnë renditjen me 13 pikë dhe ndiqen nga pas nga Flamurtari dhe Vora, që kanë një pikë më pak.

JOSA QOSJA

Gjithsesi, për trajnerin Josa kjo ecuri e tanishme nuk do të thotë asgjë, pasi realizimi i objektivit kërkon vazhdimësi. Sot i pret një beteje e fortë për ngjitjen në Superiore dhe nga pas e ndjekin dy skuadra pretendente. Përmes një prononcimi të shkurtër, të dhënë për “Panorama Sport” në prag të transfertës së Fierit, trajneri Josa pohoi se në radhët e skuadrës së tij ka përsëri vend për korrigjime.

Sipas trajnerit kryeqytetas, ky korrigjim vjen nga skuadra përmes përmirësimit në ndeshje. Sa i përket skuadrave që ndjekin nga pas, Josa deklaroi se Besa nuk shikon ecurinë e tyre, por thjesht mendon për veten dhe për realizimin e detyrave në çdo takim. Pra, nëse kavajasit marrin më të mirën nga ndeshjet e tyre, atëherë nuk kanë pese në ndikohen na kundërshtarët.

“Jo vetëm me Apoloninë, që është e radhës për ne, por çdo ndeshje është e vështirë. Besa ime ka akoma gjëra për të përmirësuar dhe për të bërë më mirë. Kjo arrihet vetëm duke u përmirësuar në ndeshje. Rivaliteti? Dihet se ne si ekip shikojmë vetëm punën tonë. Dua të them Besa nuk ndikohet nga rezultatet e rivalëve në kampionat. Ne duhet thjesht të bëjmë detyrat tona në çdo ndeshje dhe kështu jemi në rregull, pa parë se çfarë bëjnë kundërshtarët”, u shpreh trajneri Mirel Josa në prag të ndeshjes me Apoloninë, që Besa do ta zhvillojë sot në orën 16:00 në stadiumin “Loni Papuçiu”.

Kjo është transferta e katërt për kavajasit në 6 javë, p[asi si pritës kanë luajtur vetëm ndaj Korabit dhe Kastriotit. Aktualisht pritet shumë nga sulmuesit e Besës, pasi skuadra sikur ka krijuar varësi nga golat e kapitenit Mazrekaj, i cili deri më tani ka shënuar 6 gola. Besa ka investuar shumë në merkaton e verës me synim të qartë, rikthimin në Kategorinë Superiore pas një dekade.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"