Josa: Premierat nuk parashikohen, Besa kudo luan për fitore
Një trajner kampion si Mirel Josa sheh përtej një ndeshje kampionati, teksa thekson se i vjen mirë që futbolli është shtrirë kudo në Shqipëri.
Besa ka bërë investime të fuqishme këtë sezon dhe në prag të fillimit të kampionatit, ku kavajasit e nisin nga Tropoja, trajneri Mirel Josa për “Panorama Sport” u shpreh: “Mjafton t’u kujtoj se nga Tropoja dolën vëllezërit Gega, që bënë histori në futbollin shqiptar e më gjerë. Prandaj, pres që ndeshja e parë të kthehet vërtet në një përballje me shumë emocione. Nga përvoja ime e gjatë si futbollist, por edhe trajner, kam kuptuar se premierat janë nga më të vështirat dhe të paparashikueshme. Kjo, pasi ekipi luan sfidën e parë të vërtetë, shto këtu faktin që te Besa ka pasur afrime deri ditën e fundit dhe natyrisht kërkohet pak kohë që lojtarët të ingranohen me ekipin.
Kemi zhvilluar një fazë përgatitore të mirë, ku kemi zhvilluar miqësore të shumta dhe tashmë i kam në kokë aftësitë e secilit dhe nevojën që ekipi ka. Kundër Valbonës, si testi i parë, u kam kërkuar të besuarve të mi të kenë vlerësim maksimal për kundërshtarin dhe përqendrim në çdo minutë e sektor të fushës. Sigurisht, për vetë investimet e bëra dhe objektivin që kemi, Besa do hyjë në fushë me objektiv fitoren. Kjo jo vetëm në Tropojë, por në çdo takim, pasi vetëm kështu do të bëjmë të mundur një ecuri që presim e besojmë”. Te Besa nuk kanë reshtur afrimet deri 24 orë më parë, ndaj nuk dihet se kush do të jetë në formacion.
FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"