Juventusi, Tiago Mota dhe… tre strategë! Ja cila është filozofia e italo-brazilianit
Në kulmin e lumturisë, pas fitores heroike në Gjermani përballë Lajpcigut, tashmë skuadra e Juventusit duket se ka vetëm “dorën” e Tiago Motës, duke e larguar totalisht kujtimin e Masimiliano Alegrit.
Njësoj si njerëzit inteligjent, Tiago Mota ka “vjedhur” shumë gjatë karrierës së tij, të paktën karakteristikat më të mira të disa trajnerëve që e ka lidhur puna. Mes njerëzve që Motës i kanë shënjuar karrierën e tij si futbollist, trajneri bardhezi ka preferuar të zgjedhë më të mirat e tre personave. Gasperini, Murinjo dhe Guardiola.
GASPERINI– Nga Xhan Piero Gasperini, të cilin e kishte trajner te Xhenoa në sezonin 2008-2009, Mota ka “vjedhur” kulturën e punës dhe vlerën që sakrifica ka. Jo më kot kur vendosi të merrte stolin e bardhezinjve tha: “Luan ai që punon më shumë gjatë javës”. Këtu Mota preferon të mos bëjë dallime mes lojtarëve dhe kjo gjë shihet edhe te hapësirat që ai i ka dhënë lojtarëve të rinj. Edhe pse nuk preferon të qëndrojë gjatë gjithë kohës me presionin shumë lart, Motës i pëlqen që të ndërtojë lojën nga pas dhe gradualisht të shkojë drejt portës kundërshtare për të shënuar. Këtu tashmë gërshetimi është me një emër të madh të trajningut botëror si Pep Guardiola.
GUARDIOLA-Ndërtimi i lojës gradualisht dhe duke nisur që nga porta, i jep mundësinë Motës që ekipi të qëndrojë i shkurtër dhe kompakt. Kjo kompaktësi i jep edhe siguri në mbrojtje, ndërsa ndërtimi vjen me pasime të shpejta. Njësoj si Guardiola, edhe pse ende jo në atë nivel, Mota kërkon që të ketë ai zotërimin e topit gjatë shumicës së lojës, në hapësira të vogla dhe në mënyrë që ta rikuperojë topin sa më shpejt nëse e humb. Barcelona e Guardiolës e ka bërë këtë gjë në mënyrë perfekte, ndërsa trajneri bardhezi po provon ta implementoj te Juventusi, sigurisht duke u bazuar edhe në filozofinë e tij të lojës.
MURINJO-E çfarë mund t’i marrësh tjetër trajnerit portugez më shumë sesa sistemi i tij mbrojtës? Jeta e Tiago Motës te Juventusi ka nisur pikërisht me një mbrojtje të hekurt, ku pas 6 javës, në kampionatin italian ende nuk e ka pësuar golin e parë. Siguria që lojtarët e Juves kanë në prapavijë të kujton ekipet e Murinjos në kohën e tij të artë, por me një ndryshim, që në këtë rast “autobusi” nuk parkohet. Gjithashtu nga portugezi, Mota ka vjedhur mënyrën e të qenit i qetë kur gjërat nuk shkojnë mirë. Mjafton të shihet se pas tri ndeshjeve radhazi pa gola, ai ruan qetësinë, beson te lojtarët të cilët më pas shpërthejnë në 3-0. Prandaj Tiago Mota ka nisur një karrierë në mënyrën më të mirë të mundshme. Pas dy aventurave me Specian dhe me Bolonjën, italo-braziliani po bën mirë me “Zonjën e Vjetër” pikërisht sepse me inteligjencën e tij ka ditur të vjedhë nga emra të mëdhenj si Murinjo, Pep Guardiola apo Xhan Piero Gasperini.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"