Ka gjetur çelësin te Kukësi, Çela do triumfin edhe me Vorën
Kukësi e sheh veten të rilindur pas atyre dy “shuplakave” në kampionat me verilindorët, që vijnë pas tri rezultateve pozitive radhazi. Nuk kishte ndodhur më parë këtë edicion, që blutë të kishin këtë ecuri, duke nënkuptuar në një farë mënyre se Emiljano Çela duket se e ka gjetur çelësin për të marrë maksimumin e mundshëm nga kontigjenti që ka në dispozicion.
Blutë kërkojnë të vijojnë sa më gjatë me këtë ecuri, për t’iu larguar sa më shumë vendeve të fundit dhe mbajtur një pozicion komod në tabelën e klasifikimit. Mirëpo, këtë të hënë do të kenë përballë një kundërshtar që synon Superioren dhe ka bërë mjaft investime, siç është Vora.
Në ndeshjen e parë janë mundur në transfertë, por tani në Kukës e presin më me optimizëm dhe shpresë për të mos dalë pa pikë. Gjithsesi, kuksianët këtë edicion kanë hasur vështirësi përballë skuadrave me nivel, duke mos marrë dot rezultatin, por ndaj vorakëve duan të thyejnë një tabu në këtë aspekt.
E bënë para dy javësh me Burrelin që qëndronte mbi ta në renditje, ku u ndalën në një barazim pa gola, ndaj në Kukës kanë besim se mund ta përsërisin një gjë të tillë edhe ndaj një kundërshtari si Vora. Sinjalet që Çela mori në ndeshjen e Kupës kundër Pogradecit, ku siguruan kalimin për në turin tjetër, ishin pozitive. Për këtë arsye, në Kukës po përgatiten për të bërë surprizën ndaj pretendentëve.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"