Kalendar “ferri”, 4 transferta në pesë javë për Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2024 | 13:30

Kalendar “ferri”, 4 transferta në pesë javë për Skënderbeun

Sikur të mos mjaftonte momenti i vështirë që po kalon Skënderbeu aktualisht, me dy humbje radhazi ndaj Tiranës dhe Egnatias dhe me vetëm 7 pikë në 8 javë, “maloren” e bën edhe më të fortë kalendari në vazhdim.skenderbeuKatër nga pesë ndeshjet e ardhshme skuadra e trajnerit Ivan Gvozdenoviç do t’i zhvillojë në transfertë, ku dihet që shkalla e vështirësisë është e madhe. Mjafton të përmendim faktin se deri tani korçarët nuk kanë marrë asnjë pikë në ndeshjet e luajtura jashtë fushës së tyre. Kjo ka bërë që ky ekip të qëndrojë në vend të 7-të.

4 TRANSFERTA – Kalendari i “ferrit” për Skënderbeut nis fundjavën e ardhshme, kur do të ndeshet me Bylisin në Ballsh. Kjo ndeshje është e vlefshme për javën e 9-të të kampionatit dhe Bylisi është një rival direkt për korçarët në këtë moment. Faza e dytë nis me një tjetër transfertë për juglindorët, të cilët do të përballen me Elbasanin, ekipin që javën e parë të kampionatit mori një pikë në Korçë. Pastaj vjen ndeshja e vetme në Korçë për këto 5 javë, por edhe ajo është shumë e vështirë, sepse kundërshtar do të jetë Partizani i vendit të parë.

Dhe për të vazhduar pastaj me dy transferta të tjera, në Shkodër dhe në Durrës ndaj Vllaznisë dhe Teutës. Këto do të jenë 180 minuta të tjera shumë të vështira për Skënderbeun, sepse të dy kundërshtarët kanë pretendime për kreun e tabelës. Në kampin korçar është e qartë se situata është mjaft delikate, por ndeshjet duhen marrë me radhë dhe me qetësi. Tani për tani vëmendja është vetëm te Bylisi, ku një rezultat pozitiv do të thoshte shumë për të besuarit e trajnerit Gvozdenoviç, jo vetëm për renditjen, por edhe për moralin.

GJENDJA – Trajneri Gvozdenoviç ka nisur punën me ekipin për përballjen me Bylisin, por ka disa mungesa në grup, siç janë Rashica, Nikaj dhe Janaqi, tre lojtarët e grumbulluar me Kombëtaren U-21. Në Ballsh do të jetë plotësisht gati mesfushori Juri Merlim, por do të mungojë për shkak të kartonit të kuq të marrë ndaj Egnatias mbrojtësi kolumbian Vaskez. Stafi teknik i Skënderbeut pritet që ta shfrytëzojë fundjavë me ndonjë ndeshje miqësore për të mbajtur në tonus futbollistët. Kundërshtar mund të jetë një nga skuadrat afër Korçës, Maliqi, Pogradeci ose Devolli.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"