Kalimi te Juvja dhe biseda me Motën, “zbërthehet” Kalulu: Si të ishte një lidhje dashurie
Sfida Milan-Juventusi do të jetë e veçantë mbi të gjitha për Pier Kalulu. Ai u transferua nga kuqezinjtë te “Zonja” pasi skuadra nga Milano nuk pati besim tek ai, një lëvizje që i ka bërë për t’u penduar.
Në prag të kësaj sfide Kalulu ka folur për aventurën e tij te Juvja, por edhe jetën që nga fëmijëria, duke e nisur pikërisht me këtë dhe pasionin më të madh që ka, futbollin. “Jam i sigurt se mund të bëja shumë gjëra në jetë. E dija se mund të bëja shumë gjëra, por kuptova se i vetmi pasion që kam vërtet dhe që më bën të zgjohem gjithmonë me një buzëqeshje është vetëm futbolli. Prindërit më thoshin gjithmonë se nuk duhet të bësh asgjë në jetë me detyrim. Gjithmonë më thoshin: nëse do të largohesh nga futbolli, mund ta bësh, nëse do të shkosh në shkollë shko në shkollë. Askush nuk më ka shtyrë të bëja gjërat me forcë. Bëni atë që ju pëlqen më shumë, por ju duhet ta bëni në maksimum”, shprehet fillimisht Pier Kalulu që më pas tregon emocionet te Juvja.
“Kur ndjeni besimin e shoqërisë dhe kuptoni se dikush ju do vërtet, atëherë mund të jepni gjithçka. Ne jemi njerëz që punojmë me zemër. Gjatë nxehjes është momenti më i bukur, qoftë në Allianz Stadium apo në një stadium tjetër”.
Ish-mbrojtësi i Milanit i cili tashmë do të lozi përballjen si kundërshtar i tyre ka shtuar: “E vërteta është se ne personalisht kemi momente të vështira dhe në këto momente i vlerëson më shumë momentet pa vështirësi. Unë i kam përjetuar këto emocione dhe e dimë që ne sportistët e nivelit të lartë nuk duam të tregojmë kur jemi të dobët, duam ta fshehim gjithmonë këtë këndvështrim”, thotë Kalulu që më pas zbulon edhe bisedën e tij të parë me Tiago Motën.
“E thirra dhe i thashë: “Përshëndetje zotëri” dhe ai më tha: “A je gati të luash çdo 3 ditë?” Unë i thashë: “Po, por në cilin pozicion më sheh më mirë për të luajtur?” Dhe ai tha: “Djathtas, në qendër dhe në të majtë. Në tashmë kemi një ndjenjë të fortë, sikur të ishte një lidhje dashurie”, përfundoi mbrojtësi francez Pier Kalulu i cili ka qenë zbulimi më i madh i Tiago Motës në këtë start sezoni. Ai ka qenë një nga lojtarët kyç të bardhezinjve deri më tani dhe me Tiago Motën duket sikur ka rilindur.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"