“Kam një prediksion për përfundimin e sezonit, nëse do të jem unë këtu”, Memelli: Humbëm 2 pikë…
Trajneri i Vllaznisë, Migen Memelli, foli pas barazimit 1-1 që Vllaznia arriti në “Elbasan Arena” ndaj Dinamos së Di Biaxhos. Në prononcimin e dhënë për mikrofonin e “MCN” menjëherë pas ndeshjes, tekniku pogradecar ndër të tjera deklaroi:
“Vijmë në këtë ndeshje me disavantazhe të mëdha, edhe me emra, në figura, por edhe në pozicione. Që do të thotë që kishim marrë mbrojtësin e qendrës, Pusin, e kaluam të djathtë, Salën e kaluam mbrojtës të majtë, por është pak e vështirë në manovër sulmuese, se jemi skuadër që ndërtojmë, duam të krijojmë hapësira dhe kur nuk kemi njerëzit me këmbën e cilësitë e duhura në krah, kemi disa avantazhet tona.
Por dua të theksoj që mbrojtja nga poshtë që e kemi pasur sot, nuk vlen kur nuk krijon. Kemi krijuar goxha sot, dy raste në pjesën e parë me portë bosh me Bekimin që nuk ishte pozicion jashtë loje dhe dy raste të tjera për shënim për të shkuar 2-0 dhe 2-1 në fund. Ajo që dua të them është falënderim për lojtarët sot, se sakrifikuan, dhanë maksimumin edhe pse nuk i vendosëm në pozicionet natyrale. Jemi munduar ta mbajmë ekipin në tonus gjatë gjithë javës për të mos u prekur nga virusi i mendjemadhësisë.
Mos harrojmë që pas një takimi që kisha me Bekimin kokë më kokë, është munduar ai dhe unë. I kam thënë që të fokusohet te puna e tij, mund të kishte shënuar dygolësh nëse nuk do të godiste Rexhepin mes këmbëve, janë raste që humben. Ai ka bërë shumë mirë, unë kam një prediksion si do të përfundojë sezonin gjithmonë nëse do të jem unë këtu. Por nuk dua ta shpreh që të mos i jap drejtim atij, i kam thënë që të qetësohet para portës.
Për mënyrën se si filloi ndeshja, të më kishin thënë me këto mungesa, mundet që të pranoja këtë barazim. Por kurrsesi, në ndërgjegjen time, me lojtarët që kam, duke parë edhe rastet e krijuara, nuk mund të firmosja për këtë barazim. Por është pjesë e lojës dhe ikim me një barazim që i vlejti më mirë Dinamos se ne. I intereson ndoshta trajnerit të Dinamo, por besoj se kemi humbur dy pikë.
Ajo që u pa sot ishte edhe mungesa e fatit sot, u dhashë djemve kurajë në fund të takimit se futbolli i pranon të gjitha këto. Ndeshja ka qenë pozitive për ne, por jo për pikët e humbura.
Hakaj dhe Asani mund të kthehen në harkun kohor të tre javëve, pas pauzës. E njëjta gjë edhe për Qarrin. Gjithashtu besoj se do të jetë gati edhe Smajli në të djathtë, një lojtar i rëndësishëm për ne, në atë pikë do të jemi të kompletuar se mos harrojmë që kemi marrë sinjale edhe për Gomesh pas pauzës, por ajo ç’ka ishte pozitive në këto dëmtime ishte shkalla jo e lartë e tyre që e menduam në fillim. Besoj do t’i kemi pas pauzës. Di që kemi ndeshje të vështirë me Tiranën por do të mundohemi të bëjmë maksimumin edhe me kryeqytetasen tjetër.
Në Shqipëri janë gjërat e paparashikueshme, Unë kam marrëdhënie korrekte me të gjithë. Jam i përkushtuar te puna ime, bëj maksimumin çdo ditë, por në Shqipëri e shohin të gjithë. Iku Bejzade, erdhi Josa, nuk ka një formulë. Nëse ka një që e di formulën që rri gjatë… Duke qenë industri rezultatesh, janë rezultatet ato që përcaktojnë.
Periudha ime, kur unë komentoja vendimet e gjyqtarëve, ka mbaruar një herë e përgjithmonë. Përderisa e them këtë, duhet t’u japim një klimë sa më të qetë gjyqtarëve se në rast kur ushtrojmë presion tek ata, më tepër i detyrojmë të gabojmë, ndaj nuk duhen komentuar edhe të Rrogozhinës që kisha mendimin tim me Shijakun. Por nuk mund të komentohet se në fund të ditës janë njerëz, bëjnë punën e tyre të caktuar, nuk kam pse komentoj. Përderisa e ka konfirmuar VAR-i, nuk e di… ”, u shpreh Memelli.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"