“Në Shqipëri ka futboll me nivel të ulët e shkelma, isha më i paguari”, rrëfimi unik i Ergys Kaçes: Vuajta racizmin në Greqi, ja si përfundova me fanellën e UÇK-së
Në 31 vite, Ergys Kaçe ka përjetuar pothuajse gjithçka në karrierën e tij. Një talent që dalloi në akademinë e PAOK-ut dhe arriti të shkëlqejë në Superligën greke, duke u shpallur lojtari i ri më i mirë në kampionat.
Kaçe ka paguar shtrenjë çdo gabim që ka bërë, si fotoja e famshme me bluzën e UÇK-së, po ashtu edhe firma në Shqipëri. Kështu të paktën shprehet mesfushori i Kombëtares shqiptare në një rrëfim për “gazzeta.gr”.
Le ta fillojmë jetën tuaj nga fillimi. Keni ardhur me familjen në Greqi nga Shqipëria kur keni qenë shumë i vogël, apo jo?
Ne erdhëm në Greqi kur isha 2 vjeç dhe e vërteta është se nuk mbaj mend shumë. Ne kishim të afërm në Shqipëri dhe ktheheshim shpesh. Fëmijërinë e kam kaluar në Greqi.
Çfarë bënin prindërit tuaj në Shqipëri?
Babai im kishte një dyqan mobiljesh me shokun e tij më të mirë dhe bënte transportin. Mami nuk punonte aq shumë, ajo ishte kryesisht në shtëpi për të rritur mua dhe motrën time. Ajo është 4 vjet më e vogël. Është marrë që në moshë të vogël me atletikë. Tani merret me biznes.
Kur ka hyrë futbolli në jetën tuaj?
Kam luajtur futboll që në moshë shumë të vogël. Ishte ëndrra ime. Sa më shumë rritesha, aq më shumë më pëlqente.
Si kaluat nga lagjia te PAOK?
Kam filluar të luaj futboll te Akileas Triandrias kur isha 8 vjeç. Atëherë, kur isha i vogël, luaja si numër 10. Më pëlqente të shënoja gola sepse kisha një goditje të mirë. Ne atëherë kishim fituar ligën dhe luajtëm në finale, ku kisha shënuar një gol me gërshërë dhe fituam 3-1, nëse më kujtohet mirë. Unë shkova në PAOK në vitin 2004. Isha në disa prova dhe shënova 4 gola. Trajneri i tha babait tim: “Djali ty ka talent dhe ne e duam në ekip. Trajner ishte Lomos dhe kur isha 11 vjeç me humor më tha: ‘Nëse nuk luan për PAOK-un, do të të kthej në Shqipëri’”.
Si ishte për një fëmijë nga Shqipëria të rritej në Greqi? A keni përjetuar racizëm?
E kam përjetuar racizmin, por jo shumë, sepse në shkollë kishte fëmijë të tjerë që ishin nga vende të tjera dhe rrinim të gjithë bashkë. Ne nuk shikonim se nga cili vend ishin të gjithë, por nëse përshtateshim si grup. Në futboll, kur kam luajtur profesionalisht, kam parë gjithmonë që ka nga ata që do të shajnë familjen tënde dhe vendin nga vjen. Për mua kjo fjalë “racizëm” nuk ekziston dhe s’mund ta kuptoj si mendojnë ata që janë racistë. Unë kam një mik gjeorgjian, një grek, dhe kur isha në PAOK, kisha miqësi me Sekou Olise, i cili ishte nga Afrika. Unë si njeri e shikoj gjithmonë tjetrin se çfarë zemre ka dhe çfarë humaniteti mbart brenda. Nëse ai është një djalë i mirë. Nuk shoh nëse është grek, shqiptar apo nga ndonjë vend tjetër.
Havos ishte trajneri me të cilin keni debutuar në PAOK, apo jo? Si e kujtoni atë ditë? Si ishin gjërat?
Po, ashtu është. E mbaj mend mirë debutimin tim. Isha 17 vjeç, ndoshta 16.5. Ishte një periudhë kur ekipi i parë luante miqësore me ekipin e dytë dhe në disa prej atyre ndeshjeve kam pasur paraqitje të mira. Havos vuri re performancën time dhe pyeti për mua. Në atë kohë, Vitolo u dëmtua. Kështu trajneri më ngriti në ekipin e parë. Në fillim ishte mjaft e vështirë.
A ka pasur ndonjë lojtar që ju ka ndihmuar veçanërisht?
Po, Shnauzer. Bëheshim shumë, ishim bërë miq të ngushtë. Ai ishte i pari që më përqafoi dhe më bëri të mos kisha turp apo ankth. Ndihma e tij ishte shumë e rëndësishme. Në përgjithësi, skuadra kishte shumë personalitete të forta. Kishte lojtarë si Pablo Garsia, e doja shumë për mënyrën se si luante dhe dinamikën e tij në qendër të fushës.
Me kë e ndanit dhomën?
Me Tsoukala në fillim.
Si u ndiet kur debutuat në ndeshjen kundër Panseraikos?
Ishte një eksperiencë unike. Atë ditë mbaj mend që isha i stresuar, stadiumi ishte shumë i mbushur me njerëz, por shokët e skuadrës më ndihmuan shumë. Isha një fëmijë që kisha stërvitur vetëm një javë me ekipin e parë. Lojtarët që i shikoja në televizor, papritmas i kisha në tavolinë pranë dhe po hanim bashkë.
Çfarë ndryshoi ardhja e Savidis në ekip, përtej asaj financiare?
Në fillim nuk e njihnim por ishte ai që solli fuqi financiare në ekip. Financia është gjithmonë ajo që bën diferencën. Ai ndërtoi një ekip të mirë, derdhi para në ambientet, akademia. Ata bënë transferta dhe gjithçka ishte luks. Ai solli njerëz që të na ndihmonin me gjithçka që donim, nuk na mungonte asgjë në përditshmërinë tonë. Mbaj mend që më bëri përshtypje që klubi dërgoi lule me urime për familjen e kujtdo që kishte ditëlindjen. Jepte dhurata. Edhe tani që jam 31 vjeç dhe kam kaluar nëpër skuadra të tjera, këtë nuk e kam parë askund tjetër. Lëvizje që ju bëjnë të ndiheni si familje. Zoti Savidis për mua ka qenë gjithmonë si baba. Padyshim që e bëri realitet ëndrrën time dhe më ndihmoi në shumë nivele, si financiarisht, ashtu edhe psikologjikisht kur kisha të gjitha këto probleme.
Më thatë: “Kur kisha problemet e mia”. E keni fjalën për incidentin me foton dhe bluzën e UÇK-së, që ju kishte dëmtuar karrierën në atë kohë?
Po, kishte disa vështirësi dhe kishin lindur probleme. Mbaj mend që kisha folur me presidentin, zotin Savidis. Ishin kohë të vështira për mua, sepse gjysma më shanin dhe të tjerët më fajësonin. Skuadra ishte mjaft e mërzitur nga kjo situatë. Kishte nga ata që më donin dhe e dinin se kush isha, por kishte edhe nga ata që nuk më njihnin dhe grupi ishte disi i mërzitur. Savidis më ftoi në takim dhe i thashë se mund të ishte më mirë të largohesha nga ekipi për të qetësuar gjërat. I shpjegova se çfarë kishte ndodhur dhe ai më besoi që në fillim. Ai e dinte se kush isha dhe çfarë po ndodhte. Unë gjithmonë shoqërohesha me të gjithë në grup, pavarësisht kombësisë apo ngjyrës së tyre. Unë u shoqërova me Prijoviçin që është serb. Zoti Savidis më tha: “Nuk do të largohesh, do të ndryshoj gjithçka, bëj durim”. Ai më mbështeti gjatë gjithë këtij procesi dhe me kalimin e kohës, njerëzit e kuptuan se kush isha dhe çfarë ndodhi në të vërtetë. Të gjithë ata që më akuzuan, më në fund e kuptuan se nuk kisha qëllime të këqija.
Si ndodhi e gjitha kjo? A doni të na shpjegoni që njerëzit ta kuptojnë se për çfarë po flasim?
Kisha hyrë në një parukeri për të ndihmuar një shoqe që të reklamonte biznesin e saj dhe pasi preva flokët, dola i rruar… plotësisht. Kërkova një bluzë për t’u ndërruar sepse imja u bë pis. Nuk është shaka, tani që e mendoj them se duhet të isha më i kujdesshëm. Më dhanë këtë bluzë për ta veshur dhe për të bërë një foto për ta ngarkuar në rrjetet sociale.
Epo, nga një prerje flokësh dolët…
Po, po… isha fëmijë i vogël dhe duhej të isha më i kujdesshëm. Nuk e dija që kishte ndodhur kjo luftë e Kosovës me Serbinë. Edhe nëse prindërit e mi do të kishin luftuar atje, nuk kishte se si të vishja diçka të tillë dhe të transmetoja mesazhe të tilla për të kaluarën. Kjo foto u hodh në “Facebook” dhe kështu filloi gjithçka
Cila është ndeshja që nuk do ta harroni kurrë?
Kur luajtëm në Tuba kundër Rapid Vjenës. Pati një zhurmë… Tifozët e Rapidit hodhën fishekzjarrë në tribunat ku kishte familje me fëmijë. Atëhere dolëm në fushë dhe ishim sit ë droguar psikologjikisht për t’i mundur. Fituam 2-1 me 10 lojtarë dhe është një nga ato ndeshjet që të mbeten në memorie.
Më pas erdhi Luçesku. Mendoni se duhet të kishit më shumë mundësi?
E vërteta është se para se të vinte Luçesku, isha gati të largohesha si huazim. Mbaj mend që kemi biseduar me trajnerin e mëparshëm, Iviqin në mos gaboj, me të cilin nuk kam luajtur shumë. Kështu, kur erdhi Luçesku, mendja ime ishte të largohesha. Këtë mesazh e kisha nga trajneri i mëparshëm. Por mbaj mend që në fillim ai më kërkoi të luaja. Kisha shënuar, kisha asistuar Prijoviç dhe në përgjithësi kisha bërë mirë. Pra, fillimisht kishte ndryshuar, por më pas përsëri nuk po luaja, s’e di pse. Nuk kam qenë kurrë nga ata lojtarë që kanë dashur të luajnë 10-20 minuta.
Më vonë ka qenë propozimi nga Panathinaikos?
Kishte ofertë nga Panathinaikos, por nuk doja të shkoja në një skuadër tjetër greke në atë moment, aq më tepër që kishte edhe ofertë nga APOEL. Situata te Panathinaikos ishte e vështirë, kishte shumë probleme financiare dhe kufizime në transferime. Unë iu bashkova ekipit në rastin më të keq. Do ta kisha të vështirë t’i atribuoja kaq shumë probleme një skuadre, ndërkohë që APOEL luante edhe në Champions League.
Si e kujtoni golin tuaj kundër Olimpiakos me fanellën e Panathinaikos?
Ky gol është një nga më të mirët që kam shënuar në karrierën tuaj. Kam kaluar shumë mirë te Panathinaikos, kam pasur shumë dashuri. Njerëzit më përqafonin dhe më donin edhe pse e dinin që isha anëtar i PAOK-ut. Më dukej sikur kisha qenë në skuadër për 10 vjet. Kam marrë shumë dashuri. Unë jam një tifoz i PAOK-ut që kam respektuar Panathinaikos.
Kur mbaroi kapitulli me PAOK-un dhe shkuat tek Aris, si u ndiet?
Padyshim që ishte një kohë e vështirë për mua. Kur u mbyll kapitulli me PAOK-un, e gjeta veten në një gjendje pasigurie. Prisja të gjeja diçka të mirë, por nuk erdhi asnjë sugjerim i përshtatshëm. Ishte një situatë e vështirë sepse kishte shumë presion financiar për shkak të kontratës sime të madhe. Gjithmonë ka pasur dhe ka armiqësi mes PAOK-ut dhe Arisit. Unë kam qenë gjithmonë kundër kësaj skuadre. Thjesht po shikoja atë moment ku do të ishte më mirë për mua të zhvillohesha si lojtar dhe propozimi i Arisit ishte më i miri. Mora një vendim që duhej të merrja. E dija se do të kishte reagime nga një pjesë e botës, por detyra jonë është të luajmë futboll.
Dhe pastaj?
Më pas shkova në Shqipëri dhe ja ku bëra një gabim.
Nga cili këndvështrim?
Shkova në një ligë për të cilën nuk e njihja fare. Futbolli ishte i vështirë, me standard të ulët në ambiente dhe në fusha. Shumë shkelma, nuk kishte lojtarë me teknikë të lartë, por përdornin shumë taktika. Ishte si të luajë në kategorinë e dytë të Greqisë. Skuadra ku shkova ishte një nga më të mirët, me synimin për të fituar kampionatin. Megjithatë, ishim në një fazë ku nuk po fitonim. Për shkak se isha kontrata më e madhe në skuadër, e “pagova” atë. Ka kuptim kur një ekip të fut me synimin për të fituar kampionatin, ata presin që ti të bësh diferencën. Por atë vit ne ishim të tretët apo të katërt, kështu që ishte e vështirë për mua të vazhdoja. Kur gjërat shkojnë keq, ekipet fillojnë të mendojnë se si të shkurtojnë kostot.
Sigurisht që është e pamundur të mos përmendet edhe Kombëtarja shqiptare. Ju keni marrë pjesë edhe në Europianin e vitit 2016…
Tani që e mendoj, eksperienca që kam pasur në “Euro 2016” dhe në përgjithësi ajo që kemi kaluar me Kombëtaren, është një pjesë që më ka mbetur shumë fort në kujtesë. E dini, kur luan me Kombëtaret, është unike. Unë kam luajtur kundër Portugalisë dhe kam parë Kristiano Ronaldon nga afër. Kam luajtur kundër Spanjës, me lojtarë si Isko dhe Serxho Ramos, lojtarë që i shihnim në “El Clasico” dhe papritur përballesh me ta në fushë. Pjesëmarrja në ekipin kombëtar është diçka ndryshe. Ti luan për vendin tënd, për vendin ku ke lindur dhe kjo shoqërohet me ndjenja që nuk i gjen askund. Kur konkurron për Kombëtaren të sheh i gjithë vendi dhe ndjen një krenari të veçantë. Nuk ka futbollist që nuk i pëlqen të veshë fanellën e Kombëtares. Të gjithë e kanë një ëndërr për të hedhur këtë hap, sepse përmes Kombëtares mund të zhvillohesh dhe të konkurrosh kundër lojtarëve që në rrethana të tjera nuk do t’i takoje. Për shembull, në të gjitha vitet që kam qenë në PAOK, nuk kam pasur mundësi të luaj me ekipe të nivelit që kam përballur me Kombëtaren. Kam luajtur kundër Ramos, Xhordi Alba, Pike ose me Italinë kundër Bufon. Këto janë përvoja unike. E vërteta është se gjatë kohës që isha në PAOK, skuadra nuk arriti kurrë në grupet e “Champions League”. Kështu, Kombëtarja më dha mundësinë të përjetoj këto momente të mëdha.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"