Kamara: Bylisi në formë, për pikë edhe në Durrës
Fitorja në shtëpi me Partizanin dhe sidomos pika e marrë në Korçë e kanë rritur optimizmin në kampin mallakastriot para ndeshjes së fundit të vitit me Teutën. Skuadra e Bylisit ka reaguar mirë, si ndaj një ekipi me pretendime si Partizani, ashtu edhe ndaj një rivali direkt, madje pas 2 golash disavantazh.
Ndonëse do të kenë dy mungesa në duelin e fundjavës në Durrës, te Bylisi kërkojë ta vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive. Trajneri Nevil Dede dhe stafi i tij kanë vendosur t’i mbajnë lojtarët të grumbulluar. Si rrallë herë, me Bylis U-21 luajtën dje ndaj Vorës vetëm 3 lojtarë të ekipit të parë, Gabriel dhe Vendel, si dhe Treni. Fokusi është i gjithi te transferta me Teutën dhe klubi kërkon një regjim të rregullt stërvitor.
KAMARA – Abubakar Kamara është një nga lojtarët që ka treguar formë të mirë sportive javët e fundit dhe ka spikatur edhe me gola. Në një prononcim për “Panorama Sport” ai ka folur për veten, formën e mirë të skuadrës dhe ndeshjen e kësaj fundjave me Teutën.
“Pas disa oshilacioneve që vinin nga dëmtimet, tashmë jam në formë optimale. Kam shënuar gola dhe më vjen mirë që skuadra po ecën mirë gjatë javëve të fundit të kampionatit. Për mua është viti i tretë që luaj në Superiore, i dyti me Bylisin në elitë. Jemi një skuadër e re, kemi dëshirë që të ecim përpara dhe të marrim rezultate. Ka qenë një fillim jo i mirë i sezonit, por mendoj se tashmë që gara është në kulmin e vet, edhe ne si skuadër jemi duke bërë mirë.
Vijmë nga ndeshje të mira, ku edhe loja jonë ka ardhur në rritje, kështu që shpresoj të bëjmë të njëjtën gjë edhe me Teutën. E vlerësojmë maksimalisht sfidën në Durrës, sepse Teuta ka një ekip të mirë, që së fundi mundi Egnatian kampione. Por duhet të marrim pikë, sepse nuk e meritojmë këtë pozicion që kemi. Bylisi ka marrë pikë edhe ndaj skuadrave me pretendime, uroj të vazhdojmë kështu”, tha Abubakar Kamara.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"