Kampionati ekipor i shahut, Partizani fiton titullin pas 26 vitesh/ Teuta triumfon në radhët e femrave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2024 | 23:58

Kampionati ekipor i shahut, Partizani fiton titullin pas 26 vitesh/ Teuta triumfon në radhët e femrave

Federata Shqiptare e Shahut ka zhvilluar në Vlorë kampionatin kombëtar ekipor 2024, aktivitet që u mbajt në Vlorë nga 29 shtator deri më 4 tetor. Në këtë eveniment morën pjesë tetë ekipe nga i gjithë vendi: Tirana, Partizani, Butrinti, Apolonia, Luftëtari, Teuta, Vllaznia dhe vendësit e Flamurtarit.

SHAH

Gara u zhvillua me 7 raunde me sistem robin, drejtuese e turneut ishte Majlinda Pilinçi. Skuadra kampione për vitin 2024 u shpall Partizani me 12 MP, me ekipin e kuq që përbëhej nga Xhembulla në tavolinë të parë, Zeneli në tavolinë të dytë Bregu në tavolinë të tretë, Llupa në tavolinë të katërt dhe kapiten Arjan Bllaca.

Shahistët e Partizanit treguan performancë të lartë ndaj ekipeve të tjera pretendente dhe vetëm në raundin e fundit u mundën nga ekipi i Butrintit, që zuri vendin e tretë. Xhembulla dhe Zeneli, udhëhoqën kryeqytetasit drejt titullit kampion, me fitoret e tyre në tavolinat e para. Partizani përsërit këtë sukses, pas viteve 1973, 1987 dhe 1998, duke u rikthyer në shkallën më të lartë të podiumit pas 26 vitesh.

Në vend të dytë u rendit Teuta me 10 MP, ndërsa podiumin e plotësoi ekipi i Butrintit, me 10 MP në vend të tretë. Surpriza e kampionatit ishte fitorja e Flamurtarit, ndaj ekipit të fortë të Butrintit, në raundin e tretë. Në Seksionin Femra, kampion u shpall ekipi i Teutës me 11 MP, ndërsa në vend të dyert u klasifikua Tirana me 9 MP.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"