Kampionët kanë edhe kalendarin aleat, Egnatia synon shkëputjen në krye
Egnatia ka shkuar pas javës së 22-të të kampionatit në habitatin e saj, në krye të klasifikimit, aty ku është mësuar te qëndrojë gjatë. Por ky sezon ka qenë ndryshe për kampionët në fuqi, sepse herë pas here kreu ka ndërruar pronar mes 4 skuadrave që janë aktualisht në “Final 4”.
Tani nis më e vështira për të besuarit e trajnerit Edlir Tetova, të cilët shpresojnë ta mbajnë deri në fund këtë pozicion. Gjatë këtij sezoni rrogozhinasve u ka munguar stabiliteti, por është fakt se Egnatia javët e fundit e ka rritur jo pak nivelin. Po ashtu, janë përforcuar ndjeshëm pas merkatos së janarit, ku kanë marrë lojtarë me eksperiencë dhe kanë dubluar të gjitha rolet.
KALENDARI – Përpos ekipit që ka në dispozicion, trajneri Edlir Tetova ka “aleat” edhe kalendarin në vazhdim të kampionatit, çka mund ta ndihmojë ndoshta për të bërë edhe një lloj shkëputjeje. Egnatia do të ketë përballë ekipe që në letër janë të kalueshëm, duke nisur nga Bylisi. Deri në fund të fazës së tretë janë edhe 5 ndeshje dhe kampionët kanë mundësi të grumbullojnë 15 pikë të plota. Përveç Partizanit, që është një rival direkt, katër sfidat e tjera janë ndaj kundërshtarëve që si objektiv kanë qëndrimin në elitë.
Këtë fundjavë Egnatia pret Bylisin në shtëpi, për të vijuar më pas me Elbasanin në transfertë, një skuadër që duket larg pretendimeve të fillimit të sezonit. Më pas është Partizani mysafir në Rrogozhinë, për ta mbyllur me një transfertë në Korçë dhe ndeshjen shtëpiake me Teutën. Praktikisht, janë pesë ndeshje, nga të cilat rrogozhinasit kanë shanse reale të dalin me pikë të plota dhe të nisin shkëputjen në vendin e parë.
Në fakt, kampionët vijnë pas 5 fitoreve radhazi në të dy kompeticionet dhe për më tepër pa pësuar asnjë gol, çka u jep shpresë dhe besim se këtë ecuri do ta kenë edhe në vazhdim. Nga dje nuk është më pjesë e Egnatias sulmuesi Xhoel, i cili ka mbyllur marrëveshjen me klubin rrogozhinas dhe menjëherë ka firmosur për Elbasanin. Për sulmin trajneri Tetova ka në dispozicion titullarin Bakajoko, Kasën, të riun Jahaja dhe përforcimin e fundit në merkaton e dimrit, Guindo.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"