Kanë grumbulluar 11 pikë në fazën e dytë, Bylisi kthehet pas tri vitesh në Korçë/ Skuadra e Dedes kërkon… vazhdimësinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2024 | 23:23

Kanë grumbulluar 11 pikë në fazën e dytë, Bylisi kthehet pas tri vitesh në Korçë/ Skuadra e Dedes kërkon… vazhdimësinë

Fitorja e fundit ndaj Partizanit ka treguar edhe njëherë forcën dhe kualitetin që ka Bylisi, si dhe punën e mirë që është bërë deri më tani në Mallakastër. Bylisi ka krijuar stabilitet, ndërsa në fazën e dytë, e cila luan javën e fundit në fundjavë, ka grumbulluar pikë të rëndësishme, ku bien në sy sidomos fitoret ndaj Teutës, Vllaznisë dhe Partizanit.

skenderbeu-bylis-2019

Pa harruar edhe barazimet me Dinamon në transfertë dhe Laçin në shtëpi. Pra janë 11 pikë, ndonëse skuadra ka pasur mundësi për më shumë, por edhe është përballur me një gjykim të padrejtë në ndonjë moment të caktuar. E gjithë vëmendja e mallakastriotëve, tashmë është përqendruar te dueli me Skënderbeun të dielën në Korçë.

AMBIENTI – Në Ballsh skuadra ka pasur mbështetje maksimale, ndërsa në sfidën e fundit në shtëpi me Partizanin, stafi dhe lojtarët kanë festuar me ultrasit në tribunën ballore. Skuadra ka dalë edhe dje në stërvitje, madje nuk kanë munguar as tifozët në këtë seancë. Të gjithë lojtarët janë stërvitur nën urdhrat e stafit ballshiot.

Bylisi luan transfertën e parafundit ë vitit 2024, por pavarësisht se sfida do të luhet në një orar jo të përshtatshëm, pritet që në Korçë mallakastriotët të shkojnë edhe me tifozët me vete. Pritet që tifo-grupi “Ultras Bylinët”, të jenë në përkrahje të skuadrës së tyre të zemrës në transfertën delikate të Korçës. Kujtojmë që transferta e fundit në Korçë mes vendasve dhe ballshiotëve është luajtur në nëntor të vitit 2021, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë.

Koha e rregullt përfundonte 2-2 dhe 4-3 fitonte Skënderbeu me penallti. Me sa duket, ballshiotët do të kërkojnë që deri në fund të këtij viti të lënë zonën e rrezikut, për t’i bërë ndryshe llogaritë në pjesën e dytë të garës.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"