Kanë humbur kreun, Josa zbut presionin: Vora e radhës, pres mbi 2 gola nga Besa
Besa i ka dhënë fund përgatitjeve për sfidën më të rëndësishme deri në këtë momente. Kavajasit do të presin sot Vorën, ora 14:00, në Rrogozhinë. Në javën e fundit Vora, së bashku me Flamurtarin i rrëmbyen fronin Besës, që e mbanin nga java e parë e kampionatit.
Për Besën nuk ka alternativë tjetër përpos fitores dhe natyrshëm që presioni bie i gjithi mbi lojtarët verdhezinj. Pikërisht, këtë presion kërkon ta shuaj trajneri me plot përvojë, Mirel Josa, teksa e quan thjesht një sfidë të radhës.
“Ne kemi luajtur dhe do luajmë me të gjithë rivalët jo një herë, por më shumë gjatë kësaj gare të gjatë. Në këtë sens, gjykoj se presim thjesht të luajmë ndeshjen e radhës, pavarësisht emrit të kundërshtarit”, u shpreh Josa.
Në anën tjetër, futbollistët dhe stafi janë të ndërgjegjshëm se ndaj Vorës nuk lejohet rezultat tjetër veç fitores. Besa vjen në këtë takim, ku do të ketë edhe përkrahjen e tifozëve, pas barazimit 0-0 në Shijak, që i zbriti në renditje. Sot në formacionin kavajas rikthehet një nga shtyllat e ekipit, qendërmbrojtësi Jurgen Goxha. Ai, jo vetëm që është një lider në prapavijë, por me golat e tij ka nxjerrë Besën nga situata.
Sigurisht, për Josën fitorja mbetet alternativa e vetme ndaj Vorës, për vetë pozitat në klasifikim që kanë dy ekipet. “Ndaj kujtdo, Besa futet në fushë për të fituar, aq më shumë ndaj Vorës në këtë moment të kampionatit. Unë kam besim të plotë te grupi dhe uroj që të mos shpërdorojmë raste flagrante shënimi, pasi e pamë se si na kushtuan në Lushnjë e Shijak. Fitorja nuk vlen me 1 gol, por 2 e më shumë”, përfundoi trajneri Mirel Josa për “Panorama Sport”.
FORMACIONET E MUNDSHME
FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"