Kapiteni Abazaj: Bylisi ka ndryshuar, t’u marrim pikë edhe bluve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2024 | 10:55

Kapiteni Abazaj: Bylisi ka ndryshuar, t’u marrim pikë edhe bluve

Bylisi ka mbyllur dje përgatitjet për transfertën e sotme me Dinamon në “Elbasan Arena”.ABAZAJTrajneri Nevil Dede u ka dhënë të tijve udhëzimet e fundit, ndërkohë që bie në sy optimizmi në radhët e skuadrës mallakastriote për këtë duel delikat. Fitorja me Teutën ka rikthyer besimin dhe tashmë Bylisi kërkon vazhdimësinë, edhe pse është e qartë se përballë Dinamos duhet angazhim maksimal.

ABAZAJ – Kapiteni i Bylisit, Marin Abazaj, i cili gjeti golin e parë për këtë sezon me 11- metërsh ndaj Teutës, për “Panorama Sport” është shprehur: “Fitorja me Teutën është harruar shpejt. Ishte një ndeshje e administruar mirë nga ne, sepse u përgatit më së miri nga stafi. Ajo fitore na ndihmon shumë në aspektin psikologjik, jemi vërtet në një moment të mirë dhe duhet ta shfrytëzojmë për vazhdimësinë, duke filluar që nga ndeshja e radhës me Dinamon. E vlerësojmë kundërshtarin për emrin që ka, por edhe për kualitetin. Kemi punuar shumë gjatë javës dhe duhet të tregojmë se Bylisi nuk e meriton pozicionin ku ndodhet aktualisht. Për të mbijetuar duhen edhe pikë jashtë fushe, kështu që duhet të jemi njësoj si me Teutën”.

 NDRYSHIMI – Abazaj, i cili ka pasur edhe një eksperiencë me Dinamon, thekson më tej se Bylisi ka ndryshuar: “Jam i lumtur për golin, edhe pse me penallti. Kam dëshirë të shënoj më shumë gola në vijim të kampionatit. Me Dinamo kemi grup të plotë dhe për vetë rëndësinë që ka kjo ndeshje, duhet të jemi të fokusuar që nga fillimi deri në fund. Bylisi ka ndryshuar dhe ka rritje të treguesve, kjo është parë sidomos në javët e fundit. Vërtet që kemi pasur pak kohë të përgatitemi, por mendoj se kjo nuk do të ndikojë, sepse jemi profesionistë dhe të mësuar me ngjeshje të ndeshjeve. Kam besim të forca e Bylisit, ku është bërë një punë shumë e mirë. Nuk na mungon asgjë, prandaj dhe mendoj se do të vijojmë me ecuri pozitive”.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"