Kapiteni Beshiraj rigjen golin në Kupë, Kukësi eliminon Pogradecin me përmbysje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2024 | 15:00

Kapiteni Beshiraj rigjen golin në Kupë, Kukësi eliminon Pogradecin me përmbysje

Kukësi mund 2-1 me përmbysje Pogradecin dhe kalon në turin e tretë të Kupës së Shqipërisë. Liqenorët e kanë mbyllur pjesën e parë me golin e shpejtë të Panadiç që në minutën e 9-të, ndërsa vendasit ia dolën të përmbysnin gjithçka në 45 minutat e dyta me rrjetat e Beshirajt dhe Mejdanit.

mejdani, kukesi duke festuar golin ne kupe

Një përballje që foli më shumë për të besuarit e Emiljano Çelës, të cilët vijojnë kështu ecurinë pozitive në rezultate, ku prej tri ndeshjesh radhazi nuk humbasin. Në anën tjetër, trajneri Ardian Mema ka debutuar me humbje në stolin e Pogradecit.

PJESA E PARË – Si finalist i kupës, Kukësi e sheh edhe si një objektiv moral avancimin sa më gjatë në këtë kompeticion, ndaj Emiljano Çela nuk preferoi të bëjë rotacion. Ndryshe veproi Mema, i cili nuk hodhi në fushë të gjithë titullarët. Ndeshja do të niste mjaft mire për miqtë, të cilët gjejnë rrugën e rrjetës që në minutën e 9-të me anë të sulmuesit Panadiç. Pas disavantazhit Kukësit i duhet një sforco më e madhe për të kthyer ndeshjen. Blutë bëjnë përpjekjet e tyre, mundohen me krose nga krahët dhe kërkojnë të shfrytëzojnë cilësitë individuale të Hasajt dhe Beshirajt. Por pa rezultat, pasi Pogradeci është më i qetë dhe mbrohet mirë. E para mbyllet me avantazhin e miqve.

PJESA E DYTË – Kukësi nuk pajtohet aspak me këtë rezultat dhe gjithnjë e më shumë nis të shohë drejt sulmit, duke ushtruar presion në zonën kundërshtare. Ia del të realizojë golin e barazimit me anë të kapitenit Mario Beshiraj në minutën e 60-të. Baraspeshë në fushë, ndërsa sulmuesi rigjen golin pas disa javësh shterpësi. Ky gol u jep zemër vendësve, të cilët nuk duan ta çojnë ndeshjen në shtesë. Dhe 10 minuta para fundit është radha e Mejdanit për të shënuar golin e fitores dhe të kualifikimit të Kukësit për më tej. Deri në fund ka përpjekje për të shënuar sërish nga të dy ekipet, por rezultati mbetet i pandryshuar. Pogradecin kthehet në shtëpi, ndërsa Kukësi sfidon Laçin në fazën tjetër, ku sërish kualifikimi vendoset me një ndeshje teke.

KUKËSI-POGRADECI 2-1

GOLAT: Beshiraj 60′, Mejdani 80′ / Panadiç 9′

KUKËSI: Dervishaj, Mejdani, Sulçe, Lamellari, Jusuf, Beshiraj (Birçaj 86′), Hasaj (Metani 86′), Hilaj (Selita 53′), Nasir, Kapllanaj, Danaj (Momoh 78′). (Në dispozicion: Nova, Ouen, Nerguti, Pica). Trajner: E.Çela

POGRADECI: Nikoloski, Ivani, Kastrati (Hysenllari 24′), Opejemi (Alidema 62′), Kasmollari, Topllari (D.Pius 74′), Pengu, Danladi, Duarte, Raza (Shkulaku 74′), Panadiç. (Në dispozicion: Beqiri, C.Pius, Nallbati, Pere, Kapllani). Trajner: A.Mema

KARTON I VERDHË: Lamellari 93′

GJYQTARË: M.Dyrmishi (Poliçan), I.Cani, E.Ahmeti (Tiranë)

VËZHGUES: Prek Pjetrushi (Lezhë)

DELEGAT: Përparim Laçi (Pukë)

3 ndeshje

radhazi ka Kukësi që merr rezultate pozitive. Pas barazimit me Burrelin dhe fitores me Erzenin në kampionat, skuadra e Çelës arrin edhe këtë fitore në kupë.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"