Kapiteni Farruku: Fitorja kundër Lushnjës, dhurata e Burrelit për festat e fundvitit
Burreli do të luajë sot, në orën 13:30 në transfertë përballë Lushnjës. Matjanët synojnë ta mbyllin këtë vit me rezultat pozitiv, në vijim të atyre rezultateve që kanë arritur në fazën e dytë të këtij kampionati.
Në 5 ndeshje, ata kanë arritur tre fitore, nga të cilat dy në transfertë, si dhe dy barazime në Burrel. Objektivin e matjanëve për të marrë rezultat pozitiv edhe në Lushnjë e pohon për “Panorama Sport” edhe kapiteni dhe golashënuesi i skuadrës së Burrelit, Florenc Farruku.
Ndaj Kastriotit vuajti pezullimin nga kartonët, kështu që është i gatshëm për Lushnjën.
“Burreli është i konsoliduar dhe luan lojën e vet, pavarësisht fushës dhe skuadrës me të cilën përballet. Këtë do ta bëjmë edhe përballë Lushnjës në transfertë, ku do të shkojmë për të marrë rezultat pozitiv edhe si një dhuratë për fundvitin dhe për tifozërinë e zjarrtë, që na mbështet në çdo ndeshje. E vlerësojmë Lushnjën, pasi ka një ekip të mirë dhe lojtarë kualitativ.
Gjithsesi, ne ndahemi në objektivat që kemi, pasi Burreli luan vetëm për fitore”, u shpreh Farruku për “Panorama Sport”. Duke bërë të ditur edhe përgatitjen e himnit të skuadrës, Farruku përfundon: “Fitorja është edhe obligim për inaugurimin e himnit të skuadrës, që tashmë është përgatitur. Ovacionet e tij do të na shoqërojnë në çdo stadium”.
MARTIN DEDAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"