Kapiteni i Burrelit, goli si dedikim special për legjendën matjane, Dali Farruku

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2024 | 18:00

Kapiteni i Burrelit, goli si dedikim special për legjendën matjane, Dali Farruku

Skuadra matjane ka nisur nga marta pasdite përgatitjet për ndeshjen e radhës kundër Kastrioti, që do të zhvillohet në fundjavë, në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë Krujës. Jo vetëm tradita e ballafaqimeve mes dy ekipeve ndër vite, por edhe rivaliteti që kanë skuadrat aktualisht e bëjnë sfidën shumë interesante.

dali farruku dhe florenc farruku

Fitorja e arritur në fundjavën e shkuar ndaj Pogradecit ka shtuar dukshëm optimizmin në radhët e skuadrës, që sfida e radhës ndaj krutanëve të kalohet me sukses. “Fitorja ndaj Pogradecit ishte më se e merituar. Krijuam volum loje, kjo e shoqëruar me raste të pastra për shënim. E rëndësishme është se morëm fitoren, që na mban në ritmin e zakonshëm të kampionatit” u shpreh fillimisht për “Panorama Sport” sulmuesi Florenc Farruku. Dy golat e shënuar deri më tani nga 23-vjeçari kanë patur vlera për ecurinë e skuadrës në marrjen e fitoreve. Ndryshe nga golat që ka shënuar më parë, golin e realizuar ndaj Pogradecit, Florenci ia dedikon xhaxhait tij, ikonës së futbollit matjan, Dali Farruku, që ditën e ndeshjes festoi 67-vjetorin e lindjes.

“Çdo gol i shënuar ka rëndësinë dhe të veçantën e tij, por ai që shënova ndaj Pogradecit përkoi me ditëlindjen e xhaxhait tim, Dali Farruku. Ndaj këtë gol ia dedikoj atij, që mbetet shembull dhe burim frymëzimi, jo vetëm për mua, por për të gjithë futbollistët matjan”, vijoi kapiteni. Ndeshja e fundjavës ndaj krutanëve, sipas sulmuesit matjan, do të jetë një përballje e vështirë. “Ndeshja me Kastriotin do të jetë e fortë dhe e luftuar nga të dy skuadrat. Fryma e mirë që ekziston te Burreli na bën optimist se dhe ndeshjen me krutanët do ta  përballojmë me dinjitet Marrja e një pike do ta konsideroj rezultat pozitiv”, përfundoi sulmuesi i skuadrës matjane, Florenc Farruku.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"