Kapiteni Tabaku: Vora gjithnjë vuan ndaj fierakëve, i mundim sërish dhe ruajmë kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2024 | 15:55

Kapiteni Tabaku: Vora gjithnjë vuan ndaj fierakëve, i mundim sërish dhe ruajmë kreun

Pas përfundimit të sfidës Besa–Flamurtari, 0-0, që e mbajti Vorën në vendet e para, vorakët kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e nesërme kundër Apolonisë në Fier. Që pas fitores në Shijak, Vora nuk është ndalur së përgatituri për startin e fazës së dytë.

vora feste

Gjendja e skuadrës është mjaft e favorshme, sepse lojtarët po gëzojnë një formë të mirë fizike, por edhe psikologjike. Trajneri Arian Bellai po përgatit “kurthin” e radhës, ku gjithçka pritet të zbatohet nga 11-shja që do të hidhet në fushë nga minuta e parë në transfertën e “Loni Papuçiu”-t. Kapiteni i Vorës, Xhuljo Tabaku, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” flet për ecurinë e skuadrës në fazën e parë, si dhe sfidën e radhës me Apoloninë.

Si e shikoni takimin e radhës kundër Apolonisë?

Një gjë e madhe na pret të gjithëve, që është fitorja në Fier, për të ruajtur vendin e parë. Sigurisht, presim edhe ndonjë gabim të skuadrave rivale. Ne do të përballemi me Apoloninë me respektin që i takon një skuadre që ka histori, por duhet ta dinë se ne jemi Vora. Jemi në vend të parë dhe nuk i trembemi askujt, pavarësisht se skuadra ka një emër modest në futbollin shqiptar. Jemi të parët në renditje dhe kjo do të thotë se skuadra e Vorës e ka merituar atë.

E shihni si një ndeshje që ju vendos nën presion apo ka optimizëm?

Sigurisht që ka shumë optimizëm, sepse Vora e mbylli në krye fazën e parë dhe jemi brenda objektivave tona, që është ngjitja direkt në Kategorinë Superiore. Presioni do të jetë mbi skuadrën fierake, që ka nevojë për pikë, për vet pozicionin që mban në renditje.

Sa e njihini Apoloninë dhe ku janë pikat më të dobëta të saj, që ju mendoni se do ia dilnit?

Apoloninë e kemi studiuar dhe vetëm presioni sulmues do ta vendosë atë në pozita të vështira. Kështu që, skuadra jonë mendon të luajë me tre sulmues, por sigurisht që duhet edhe shumë kujdes në prapavijë, pasi Apolonia ka sulmues të shpejtë. Duhet të dini, se tradicionalisht Vora i ka vuajtur ndeshjet kundër Apolonisë, sepse përballë nesh kanë treguar se një ekip i fortë dhe që të vë në vështirësi. Mirëpo për ne, nuk ka rrugë tjetër veç fitores. Nuk ka rëndësi fusha ku luhet. Duhet ta mposhtim me lojën tonë dhe të marrim trepikëshin e radhës.

Si është gjendja e kapitenit Tabaku dhe e skuadrës para kësaj sfide?

Kemi pasur disa probleme të lehta dëmtimi, që i kemi rikuperuar shpejt. Mendoj se tani i kemi tejkaluar dhe jemi të gatshëm që t’i rikthehemi kësaj ndeshje fuqishëm.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"