Karslej: S’kam presion tek Anglia, detyrën duhet ta marrë personi më i mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2024 | 10:10

Karslej: S’kam presion tek Anglia, detyrën duhet ta marrë personi më i mirë

Trajneri i përkohshëm i Anglisë, Li Karslej, tha përpara ndeshjes së Ligës së Kombeve kundër Finlandës se vetëm më i miri do të jetë në stolin e “Tre Luanëve”, ndërsa ai iu përgjigj pyetjes nëse mundja e Republikës së Irlandës mund ta kishte forcuar pozicionin e tij për të siguruar një kontratë të përhershme në stol.

karsli

Trajnerit të U-21 i është besuar provizorisht stoli i Anglisë, por do të ketë 6 ndeshje në total për të bindur drejtuesit e federatës se ai është njeriu i duhur për ta drejtuar kombëtaren. Përpara ndeshjes së tij të dytë në krye, 50-vjeçari qëndroi në ujëra të sigurta të hënën, duke mbështetur Federatën e Futbollit (FA) për të marrë vendimin e duhur.

Karslej arriti një fitore komode 2-0 në Ligën e Kombeve në stadiumin “Aviva” të shtunën, në ndeshjen e tij debutuese si trajner. Testi tjetër vjen sonte në “Wembley”, ndërsa Anglia përballet me Finlandën, me kapitenin Herri Kejn që do të regjistrojë ndeshjen e tij të 100-të me fanellën e përfaqësueses. Kishte shumë arsye për optimizëm për futbollin e Anglisë kundër Republikës së Irlandës, veçanërisht në pjesën e parë, por fokusi i Karslejt është në objektivat afatshkurtra dhe jo në planifikimin afatgjatë.

“Përpiqem të mos mendoj shumë për veten time”, tha ai në konferencë. “Personi më i mirë duhet të marrë punën. Unë e di rolin tim për tre grumbullimet e ardhshme dhe jam rehat me këtë”. FA ka thënë se Karslej pritet të qëndrojë në krye të kombëtares gjatë vjeshtës, ndërsa gjuetia për pasardhësin afatgjatë të Garet Sauthgejtit do të vazhdojë. Nga kampi i Anglisë nuk u raportuan probleme fizike për ndeshjen e dytë, por ai ka të ngjarë të bëjë disa ndryshime për t’i mbajtur të gjithë të freskët.

“Nëse bëni 11 ndryshime, ndoshta dërgon sinjalin e gabuar”, tha Karslej. “E mira e këtij grupi është se ata janë shumë të motivuar për të bërë mirë. Do të ketë dy ose tre ndryshime, por jo me shumicë. Ne duhet të sigurohemi që të mbrojmë edhe lojtarët. Me Finlandën do të jetë një ndeshje emocionuese për t’u parë. Mendoj se kur tifozët vijnë dhe shohin Anglinë të luajë në shtëpi, ata presin futboll sulmues. Ata presin që të krijojmë raste dhe të luajmë me ritëm”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"