Kastrioti duhet të ndërtohet nga e para, sulmi mbetet “gropa” më e madhe në ekip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2024 | 20:16

Kastrioti duhet të ndërtohet nga e para, sulmi mbetet “gropa” më e madhe në ekip

Kastrioti i Krujës me shumë vështirësi ka arritur të qëndrojë në Kategorinë e Parë. Krutanët sezonin që u mbyll zbritën nga Superiorja në të Parën dhe u duk se do të ishin kandidatë për potencial për rikthimin direkt në Superiore, por kjo nuk ndodhi.

kastrioti

Kastrioti për javë të tëra u rendit në vendet e fundit të klasifikimit dhe vetëm në 3-4 ndeshjet përmbyllëse të sezonit bëri mirë, ku fitoret ndaj Burrelit, Tomorit, Korabit, por dhe barazimi në fushën e Lushnjës, bëni që të pozicionohej në vendin e shtatë me 40 pikë. Në sprintin final të sezonit krutanët arritën të shmangin ndeshjen shtesë të “play out”-it duke e siguruar në mënyrë direkte mbijetesën. Pas përfundimit të sezonit lojtarët janë lënë pushim dhe pikëpyetjet për të ardhmen nisin nga formati i sezonit, synimet që do të ketë klubi dhe më pas ndërtimi i skuadrës së edicionit 2024-2025.

Shumicës së lojtarëve që ishin pjesë e ekipit të sezonin 2023–2024 u ka skaduar kontrata me krutanët, madje disa prej tyre i kanë dhënë lamtumirën Kastriotit, sikurse janë mesfushori Hoxha dhe golashënuesi Kapllani. Largimi i Dejvid Kapllanit, autor i 14 golave, ka krijuar një boshllëk të madh në repartin e sulmit. Lojtari erdhi te krutanët në fazën e dytë dhe me golat e tij bëri që Kastrioti të gjejë qetësinë në shënimin e golave. Deri tani, nga ana e klubit nuk është folur se kush mund të jetë zëvendësuesi i Kapllanit, kjo edhe për faktin se kjo është periudhë pushimi. Ende nuk dihet se cilët lojtarë do të jenë në planet e klubit për të vijuar sezonin e ri.

SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"