Kastrioti-Lushnja/ Premtimi i Bubeqit: Shumë shpejt pretendent kryesor. Magani: Ekipi të flasë fushë ndaj krutanëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2024 | 13:54

Kastrioti-Lushnja/ Premtimi i Bubeqit: Shumë shpejt pretendent kryesor. Magani: Ekipi të flasë fushë ndaj krutanëve

Kastrioti prej ditësh i ka përqendruar përgatitjet për ndeshjen e sotme me Lushnjën, që do ta luajnë në orën 16:00 në stadiumin “Redi Maloku” në Fushë-Krujë. Të besuarit e trajnerit Dorian Bubeqi do të kërkojnë ndaj lushnjarëve fitoren e parë sezonale.

DORIAN BUBEQI

Trajneri Bubeqi, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” pohoi se nisur nga paraqitje e mirë ndaj Apolonisë, kundër Lushnjës kërkon tri pikët. “Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë në javën e fundit në Fier. Ekipi po tregon rritje në të gjitha komponentët e lojës, pavarësisht barazimit kundër Apolonisë. Mendoj se nuk jemi ende aty ku presim. Gjithsesi, me përgatitjet e bëra dhe vlerësimin që lojtarët po i bëjnë çdo ditë stërvitjes, Kastrioti po merr formën e duhur. Shumë shpejt do të jemi një nga pretendentët kryesor për ngjitjen në Superiore.

Ndaj Lushnjës e parashikoj të vështirë, pasi nuk është më ajo Lushnjë e sezonit të kaluar, që rrezikoj të binte nga kategoria. Përballë do të kemi një ekip me objektiva të tjera dhe me sa kam kuptuar, Lushnja kërkon të jetë mes katër ekipeve të para në klasifikim”, u shpreh Bubeqi. Sipas trajnerit të skuadrës krutane, do të jetë një ndeshje e fortë, ku Lushnja ka katër pikë dhe pretendon të ngjitet më lart, ndërsa Kastrioti ka objektivat e tij dhe do të kërkojë 3 pikët e para në shtëpi. Sot Kastrioti do këtë mungesën e brazilianit Mauricio, i cili sipas trajnerit bëri një paraqitje pozitive ndaj Apolonisë, por është dëmtuar dhe i duhen të paktën tri javë që të rikuperohet.

 

Trajneri Magani: Vendos fusha, Lushnja të flasë aty me krutanët

magani

Lushnjarët i rikthehen kampionatit pas 12 ditësh, ku starti ka qenë pozitiv dhe premtues për një sezon ndryshe. Verdhejeshilët do të luajnë sot pasdite në transfertë me Kastriotin. Kjo është një javë që rezervon për lushnjarët dy transferta radhazi, sot kundër Kastriotit dhe të dielën derbin me Apoloninë në Fier. Skuadra e drejtuar nga Magani ka startuar me këmbë të mbarë duke regjistruar 4 pikë në dy ndeshjet e para, ndaj kërkohet që të ruhet korsia e zgjedhur. Në prag të transfertës me Kastriotin, trajneri i skuadrës lushnjare, Gugash Magani, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” deklaroi se Lushnja do të zbresë në fushën e lojës për të marrë maksimumin.

“Është një ndeshje e vështirë, me një kundërshtar të fortë. Kemi pasur kohë për t’u përgatitur për këtë takim. Me Turbinën, në fundjavën e shkuar, bëmë një stërvitje të mirë. Jemi në gjendje optimale si ekip dhe pres vazhdimësi. Kalendari na servir dy transferta radhazi, që janë shumë të forta. Gjithsesi, unë mendoj vetëm për ndeshjen e radhës, që është me Kastriotin. Objektivi nuk ndryshon, futemi për të marrë maksimumin, por në fund është fusha ajo që tregon gjithçka. Objektivi im si trajner është që unë dhe skuadra të flasim në fushë”, deklaroi trajneri i Lushnjës, Gugash Magani. Miqësorja me Turbinën në Cërrik tregoi se Lushnja po e rrit rendimentin dhe sot kërkohet finalizim konkret në fazën sulmuese dhe pathyeshmëri në mbrojtje.

SH. HASANI/ A. ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"