Kastrioti mposht Butrintin në Kupë, Faslliu: U eliminuam me nder. Nica: Mora sinjale pozitive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2024 | 14:55

Kastrioti mposht Butrintin në Kupë, Faslliu: U eliminuam me nder. Nica: Mora sinjale pozitive

Kastrioti dhe Butrinti kanë dhuruar emocione dhe gola në përballjen e tyre për 1/32 e Kupës së Shqipërisë, ndeshje që u luajt në Fushë- Krujë. Krutanët arritën të fitonin me rezultatin 3-1, me gola të shënuar nga Gabriel Çaves dhe një dygolësh i Samuel Moses, ndërkohë vetëm për pak minuta, baraspeshën për Butrintin e ktheu Kordoba.

kastrioti butrinti

Ndeshja- Dhjetë minutat e para kalojnë të qeta dhe pa raste, ku veçohet një gol i anuluar i Kapllanit, dukshëm në pozicion jashtë loje. Në minutën e 19-ë, Çaves i krutanëve rrëmben një top nga mesfusha dhe depërton në zonë, duke goditur dhe tundur rrjetën e Butrintit. Është po i njëjti lojtar që ka një mundësi të mirë, por pa sukses. Në minutën e 40-ë, Kapllani trondit traun e portës me një goditje të bukur. Në pjesën e parë nuk regjistrohet asnjë rast për miqtë. Mbyllet e para. Pjesa e dytë nisi me Butrintin që shfaqet luftarak dhe Llana ka dy raste goli, por nuk arrin të finalizojë siç duhet.

Në minutën e 68-ë, miqtë fitojnë një goditje dënimi nga 20 metra lart portës së Pujës. Përsipër e merr Kordoba, i cili ekzekuton saktë dhe e dërgon drejt e në rrjetë. Barazohet rezultati 1-1. Krutanët nuk bien dakord me këtë rezultat dhe hidhen në sulm për të kërkuar sërish avantazhin. Duhet të vinte minuta e 74-t, ku Ymeri pason bukur te Moses në zonë dhe ky po aq bukur godet duket dërguar topin në rrjetë. Pas disa minutave dhe kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Moses qetëson Stavri Nicën, duke shfrytëzuar mësë miri një pasim të Kukës dhe realizon golin e tretë. Kështu mbyllet ky takim. Kastrioti në raundin tjetër do të përballet me Korabin.

Faslliu- Ndërkohë pas humbjes me Kastriotin, trajneri i Butrintit Adriatik Faslliu u shpreh: “U eliminuam me nder sepse ishte një lojë e bukur dhe e dyluftuar që pati po ashtu edhe gola. Dua të falënderoj  vendësit për mik pritjen dhe dua t’u uroj të mira në vijim!’, thotë ai.

KASTRIOTI-BUTRINI    3-1

GOLAT: Çaves 20’, Moses 75’, 88’/ Kordoba 69’

KASTRIOTI: Puja, Xhafa, Çaves (Ymeri 46’), Kapllani (Agius 58’) Berisha, Doseh, Moses, Kuka, Hodo (Biba 46’) Arrojo (Murati 64’), Zuna. (në dispozicion: Jaupllari, Hoxha, Ajazi, Musaj, Kullaj)

Trajner: Stavri Nica

BUTRINTI: Moskuera, Gjata, Dikson, Basha, Ageja (Zhupa 78’), Malaj (Llana 46’), Onuh (Agu 46’), Ayjala (Kordoba 27’) S. Ageja, Husi, Lala (Sejko 62’). (në dispozicion: Kuenka, Çelo) Trajner: Adriatik Faslliu

GJYQTARË: G.Sulko (Lushnjë), I.Cani (Tiranë), H.Lila (Durrës)

DELEGATI: Petrit Haxhiaj (Tiranë)

VËZHGUES: Arben Molla (Laç)

KARTONË TË VERDHË: Berisha 68’

Stavri Nica: Mora sinjale pozitive

Në përfundim të ndeshjes, trajneri i sapoulur në stolin e Kastriotit Stavri Nica, për gazetën u shpreh: “Aktivizova disa lojtarë të rinj në këtë ndeshje, për t’i parë dhe mund të them se mora sinjale pozitive, por pashë edhe disa lojtarë të dobët. Në përgjithësi e vlerësuam ndeshjen dhe e merituam kualifikimin”, u shpreh Nica në përfundim të takimit.

SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"