Kastrioti përmbys rezervat e Korabit dhe mbijeton pa shtesë. Trajneri Ndreu: Me meritë në vend të shtatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2024 | 15:24

Kastrioti përmbys rezervat e Korabit dhe mbijeton pa shtesë. Trajneri Ndreu: Me meritë në vend të shtatë

Kastrioti dhe Korabi janë ndeshur me njëri-tjetrin në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës pa grintën dhe shkallën e vështirësisë që karakterizon përballjet mes tyre. Korabi prej javësh e ka siguruar vendin e gjashtë që të çon në “play off”, ndërsa Kastrioti një javë më parë, me barazimin në Lushnjë hodhi një hap të rëndësishëm për të shmangur “play out”-in.

kastrioti korabi

Korabi aktivizoi më së shumti lojtarët e stolit, kështu që Kastrioti dhe nuk hasi vështirësi për të marrë nga ky takim atë që donte, pikët e plota, pasi fitoi në shifrat 4-2. Dibranët e nisin takimin me gol, pasi që në minutën e 6-të shënojnë me Tanushin. Në të 32-ën miqtë gjejnë edhe golin e dytë me Kasallën. Por krutanët zgjohen menjëherë duke shënuar dy gola të shpejtë dhe barazuar shifrat me auto Mehmetllarin dhe Kukën që realizojnë në minutat 38 dhe 39.

Me barazimin 2-2 u mbyll pjesa e parë. Pjesa e dytë foli më shumë për vendasit që arrijnë të shënojnë dy gola të tjerë, ku në të 80-ën realizon Pjetri dhe dy minuta më vonë Kapllani vulos shifrat në 4-2. Kështu që Kastrioti arrin të mbijetojë pa ndeshje shtesë, ndërsa Korabi nis finalet për biletën e Superiores. Trajneri Kumbarçe i Korabit pohoi se ishte i kënaqur nga paraqitja e lojtarëve të stolit dhe pret që titullarët ta tregojnë veten në “play off”.

 

Trajneri

Ndreu: E mbyllëm me meritë në vend të shtatë

Me shumë vështirësi dhe peripeci, por në fund Kastrioti ia ka dalë që të sigurojë qëndrimin në Kategorinë e Parë pa ndeshje shtesë. Trajneri Ramadan Ndreu, pas suksesit të djeshëm të krutanëve për “Panorama Sport” u shpreh:Ndaj Korabit ishte relativisht një ndeshje e një vështirësie jo të lartë. Kjo, pasi Korabi e kishte siguruar “play off”-in. Ne e kishim vlerësuar këtë takim. Patëm luhatje në pjesën e parë, por në të dytën u përmirësuam ndjeshëm. Kampionat ynë u  shoqërua me ulje-ngritje, gjithsesi kemi nxjerrë takime të bukura dhe jemi renditur me meritë në vendin e shtatë. Mendoj se të gjitha ekipet e kanë merituar vendin që mbajnë në përfundim të kësaj gare”.

Shkëlqim Hasani- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"