Kastrioti rikthen Kapllanin, Bubeqi optimist për startin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2024 | 14:10

Kastrioti rikthen Kapllanin, Bubeqi optimist për startin

Kastrioti Krujës pas tri javë përgatitje dhe tre ndeshje miqësore të zhvilluara me bilanc pozitiv, sot do të luajë ndeshjen e parë të kampionatit në transfertë me Pogradecin.kastriotiNë seancën e fundit është rikthyer golashënuesi Dejvid Kapllani, që luajti për krutanët në fazën e dytë të sezonit të kaluar dhe shënoi plot 14 gola. Rikthimin e tij e ka pohuar dhe presidenti i klubit Alban Vogli. Pas përfundimit të seancës së fundit përgatitore, presidenti Vogli ka falënderuar ekipin për angazhimin në stërvitje dhe që do jenë pjesë e Kastriotit për sezonin e ri, duke i motivuar për të dhënë maksimumin dhe më të mirën për ngjyrat e Kastriotit nga ndeshja e parë.

Ndërsa trajneri i ri, i emëruar vetëm tre javë më parë, Dorian Bubeqi, para kësaj sfide për “Panorama Sport” u shpreh: “Nuk mund të them se ekipi është 100% gati, pasi kemi filluar përgatitjet disi me vonesë. I vlerësoj pogradecarët. Ata kanë thuajse të njëjtin grup lojtarësh nga vjet, që e njohin mirë lojën e njëri-tjetrit, por dhe Kastrioti nuk do të shkojë në Pogradec sa për të kaluar radhën. Jemi përgatitur dhe do japim maksimumin në këtë ndeshje për një rezultat që të jetë i kënaqshëm për ne”. Ndërsa për rikthimin e golashënuesit Dejvid Kapllani, ai shtoi: “Është një ndihmë e madhe për ekipin. Dua ta falënderoj Kapllanin që pranoi ofertën e Kastriotit, por dua të theksoj se në ditët në vijim do të kemi afrime të tjera, që do të kompletojnë grupin dhe do ta bëjnë atë pretendent. Për momentin jam i fokusuar vetëm tek anti-Pogradeci”.

SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"