Kastrioti “than” Erzenin me Kapllanin, Bespalla jep dorëheqjen. Bubeqi: Dua sulm ultraofensiv në çdo takim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2024 | 17:18

Kastrioti “than” Erzenin me Kapllanin, Bespalla jep dorëheqjen. Bubeqi: Dua sulm ultraofensiv në çdo takim

Është pritur me shumë interes nga tifozëria shijakase përballja Erzeni – Kastrioti, që është luajtur në “Tofik Jashari”, por ato sërish kanë dalë të zhgënjyer. Erzeni arriti të shënojë dy golat e parë të kampionatit me Franc Marinajn, por nuk arritën as të merrnin edhe një pikë, pasi Kastriotoi i ka përmbysur me golin e Kapllanajt në minutën e 96-të, duke fituar në shifrat 3-2.

erzen

Padyshim triumfi i krutanëve erdhi nga stoli, ku vendësit u ndëshkua nga ish-sulmuesi i tyre, Dejvid Kapllani, i cili hyri në fushë në minutën e 78-të dhe shënoi dy gola.

Ndeshja- Erzeni zbriti në fushë me ndryshime dhe që në fillim u vu në kërkim të golit. Erzeni në sulm, ndërkohë që kundërshtari mbrohet për të mos pësuar. Kjo pjesë ka qenë me ritëm të lartë, ndërkohë që nuk kanë munguar dhe ndëshkimet me kartonë të verdhë. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 0-0. Pjesa e dytë i pati të gjitha dhe ritmi është edhe më i lartë. Kur mendohej se vendësit do ta nisnin me gol, krutanët befasojnë dhe në minutën e 54-t, Ajazi realizon golin e parë duke shfrytëzuar një gabim të mbrojtjes dhe portierit. Trajneri Bespalla bën tre zëvendësime të menjëhershme që ndryshojnë menjëherë ritmin e lojës.

Franc Marinaj barazon shifrat në minutën e 69-të  dhe katër minuta më pas shënon edhe golin e dytë për Erzenin. Efikas dolën edhe zëvendësimet te Kastrioti, ku Dejvid Kapllani u bë heroi i krutanëve. Në minutën e 81-të ish sulmuesi barazon  shifrat dhe kur mendohej se Erzeni po merrte pikën e parë në 6 javë, vjen edhe goli i ndëshkimit. Në minutën e 6-gjashtë shtesë Kpallani shënon golin e dytë personal dhe të tretin për Kastriotin, që merr tri pikë të vyera.

Bespalla- Pas ndeshjes trajneri i Erzenit, Justin Bespalla, u prononcua për “RTSH”, por më vonë ai ka paraqitur dorëheqjen, duke ditur që ekipi ka 0 pikë në 6 javë. “Në momentin ku ndodhet Erzeni, synonim vetëm fitoren. U munduam, luftuam, por edhe fati duhet të jetë me ekipin dhe të na ndihmojë. Erzeni prodhoi lojë nga fillimi deri në fund. Kishim raste për të rikthyer avantazhin për ne, por duhet pak eksperiencë. Erzenit i mungojnë lojtarët e tillë, pasi janë të rinj. Ne donim që të fitonim me doemos, por rezultoi që e humbëm. Jam munduar gjatë këtyre ndeshjeve dhe me shpresë. Nga Kukësi deri te Kastrioti, Erzeni ka prodhuar lojë, pavarësisht se nuk kemi shënuar. Gabimi ynë ishte individual dhe jo i ekipit. Ekipi u mundua deri në frymën e fundit që të fitonim ndeshjen, por fati nuk ishte me ne”, tha Bespalla.
ERZENI – KASTRIOTI 2-3

 GOLAT: Marinaj 69’, 73’/ Ajazi 54’, Kapllani 81’, 90+6’

 ERZENI: Arevalo, Baruti, Diallo, Gjoni(Marinaj 66′), Shani, Isteri, Zaimaj( Akibu 55’Hodo, Migone, Bespallov (Duraku 55’), Oulare (Xheka  55′). (Në dispozicion: Dema, Radovani, Çillambo, Brahja, Shehu, Lajthia). Trajner: Justin Bespalla

KASTRIOTI: Puja, Qyra, Doseh, Musaj, Zuna, Moses (Hodo 87′), Kuka,  Hoxha, Ymeri(Kapllani 78′), Ajazi, Berisha (Arapi 78′). (Në dispozicion: Jaupllari, Xhafa, Agius, Ndreu, Kullaj, Murati, Biba). Trajner: Dorian Bubeqi

Kartonë të verdhë: Baruti 8′, Marinaj 83’/ Qyra 13′, Musaj 19’, Puja 27′, Hoxha 32′, Kapllani 79’

Gjyqtar: E. Spahiu, D. Kasa, A. Muxhaj

Delegat: Arben Pregja (Tiranë)

Vëzhgues: Klajdi Kola (Tiranë)

Kapllani: Tifozëve shijakas u kërkova falje

 

Dejvid Kapllani hyri nga stoli, por ai e tregoi veten ku me dy golat e tij u bë heroi i Kastriotit në Shijak, Pas ndeshjes për “RTSH” Kapllani u shpreh: “Kastrioti që në fillim u krijua si pretendent.  Objektivat nga presidenca janë për t’u ngjitur në Superiore. Erdha me vonesë te ekipi, por tani mendoj se jam në gjendjen time më të mirë. Shkova te tifozët e Erzenit për të kërkuar falje, pasi nuk mund të festoja se kam luajtur aty, por edhe babai im po ashtu. Kam qejf që të bëj më shumë. Jeta na sjell sprovo, por mendoj se jam i aftë për të bërë hapin e madh. Unë jam futbollist profesionit dhe respektoj çdo mendim të trajnerit. Është ai që vendos, me rëndësi është fitorja e ekipit. Trajneri do ta ketë parasysh vetë”, tha Kapllani.

 

Bubeqi: Dua sulm ultraofensiv në çdo takim

Trajneri Dorian Bubeqi ka mbetur i kënaqur nga fitorja e Kastriotit dhe pas ndeshjes u shpreh: “Pjesa e parë ishte shumë e dobët. Nervozizmi për të shënuar sa më shpejtë na nxori jashtë rregullores. E kam thënë që dua një ekip sulmues. Goli të jep fitoren. Futbolli është i bukur kur ka gola. I kam bërë llogaritë, por nuk duhet të pësojmë kaq shumë gola. Duhet të punojmë pak më shumë në fazën mbrojtëse për gabimet që kemi bërë. Në kohën time isha sulmues dhe aty e kam më shumë fokusin dhe e kam harruar pak mbrojtjen, por do të punojmë më shumë. Do të përpiqem të luaj në sulm ultraofensiv në çdo ndeshje. Erzeni duhet të kishte më shumë pikë dhe jo zero”.

ALBERT ALIKO- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"