Kastrioti vuan terrenin, mposht me vështirësi Erzenin. Nica: Fituam me “dhunë”. Luga: Ndikoi gjykimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2024 | 16:26

Kastrioti vuan terrenin, mposht me vështirësi Erzenin. Nica: Fituam me “dhunë”. Luga: Ndikoi gjykimi

Kastrioti reagon pas 3 humbjesh. Krutanët hasin vështirësi, por në fund triumfojnë përballë Erzenit të vendit të fundit. Në fraksionin e parë shijakasit kanë zhvilluar një lojë shumë të mirë, ku reparti mbrojtës i tyre ka treguar nivel.

kastrioti erzeni

Portieri i shijakasve, Dema, ka arritur të presë një 11-metërsh të gjuajtur nga Ajazi, i cili realizoi një gol në këtë ndeshje. Erzeni barazoi dhe gjithçka u vendos nga një gol i Hoxhës 6 minuta para fundit.

NDESHJA – Kastrioti e nis me gol lojën, teksa që në minutën e 2-të Ajazi, i gjendur i zbuluar në zonë, shfrytëzon një top të ardhur nga këndi dhe tund rrjetën. U duk se krutanët do ta mbyllnin me goleadë këtë takim, por nuk ndodhi kështu. Shijakasit jo vetëm që nuk u stepën nga goli i pësuar, por u përballën si të barabartë. Bespallov, problem për mbrojtjen e Kastriotit, në fillim është ndalur nga Puja, por në minutën e 20-të do të gjente golin e barazimit. Portieri Puja, në tentativë për të pasuar te Doseh, e dërgon topin në këmbët e Bespallov afër zonës dhe ai shënon një eurogol. Më pas Hoxha në dy raste ishte farë pranë golit, por u ndal nga portieri Dema dhe shtylla pingule.

Minutat kalojnë me Kastriotin në sulm për golin e dytë, por terreni sa vjen e rëndohet nga balta. Në fraksionin e dytë Kastrioti tenton më fort, por shijakasit janë të vendosur mirë në mbrojtje. Në minutën e 52-të Erzeni mbetet me një lojtar më pak, pasi Dialo merr të verdhin e dytë dhe lë fushën. Krutanët kërkojnë të shënojnë sa më shpejt, por goli ka ardhur vetëm 6 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt. Hoxha, ndër më aktivët në fushë, shpërblen të tijtë me golin e dytë, atë të fitores 2-1 për Kastriotin.

KASTRIOTI–ERZENI 2-1

GOLAT: Ajazi 2’, Hoxha 84’ / Bespallov 21’

KASTRIOTI: Puja, Qyra (Murati 85’), Krasniqi, Hoxha, Ajazi, Doseh, Moses, Kuka, Musaj, Arrojo (Çela 67’), Zuna. (Në dispozicion: Jaupllari, Xhafa, Aiguis, Kullaj, Biba). Trajner: S.Nica

ERZENI: Dema, Çilambo, Baruti, Isteri, Bespallov, Kola, Dialo, Brahja, Hodo (Zeneli 58’), Sallaku, Oulare (Lajthia 65’); (Në dispozicion: Arevalo, D.Çela, Shehu, Zaimaj, Xheka, Halilaj). Trajner: E.Luga

Kartonë të verdhë: Moses 44’, Arrojo 67’, Hoxha 90’ / Sallaku 5’, Dialo, 41’, 52’, Isteri 68’

Karton i kuq: Dialo 52’

Gjyqtarë: E.Dishani, R.Jahja, R.Zogu (Elbasan)

Delegat: Engli Kokona (Tiranë)

Vëzhgues: Klajdi Kola (Tiranë)

Nica: Fituam me “dhunë”

Pas fitores ndaj Erzenit, trajneri i krutanëve, Stavri Nica, theksoi se terreni e vështirësoi lojën. “E fituam këtë ndeshje më shumë me ‘dhunë’ sesa me futboll. Them kështu, pasi terreni ishte shumë i rënduar dhe nuk na lejoi të dilnim në lojën tonë. U munduam ta zgjidhnim me topa të gjatë. Gjithsesi, u përshtatëm. Kundërshtari u mbrojt shumë, por në fund ne ia arritëm të marrim tri pikët”.

Luga: Ndikoi gjykimi

“Ishte humbje e pamerituar. Komplimentoj lojtarët e mi që luajtën në një terren shumë të rënduar. Dalja me karton të kuq e Dialo na i prishi ekuilibrat taktikë. Kam rezerva për gjyqtarin që kërkon të ngjitet në karrierë, por ndikohet nga presioni i lojtarëve vendës. Ata protestuan shumë tek ai në akordimin e golit të dytë. Një gjyqtar nuk mund të lëshojë kështu në lojë”, është shprehur pas ndeshjes trajneri i Erzenit, Ergys Luga.

SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"