Kategoria e Dytë, Grupi B/ Spikat dueli Luftëtari-Tomori, njihuni me të gjitha përballjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2024 | 8:38

Kategoria e Dytë, Grupi B/ Spikat dueli Luftëtari-Tomori, njihuni me të gjitha përballjet

Sot në orën 16:00 luhen ndeshjet e para të grupit B në Kategorinë e Dytë. Spikat dueli tradicional i futbollit shqiptar, pikërisht Luftëtari-Tomori i cili shkak të rinovimit të fushës në stadiumin e Gjirokastrës do të zhvillohet në Delvinë.

kategoria-e-dyte

Para sfidës foli për “Panorama Sport”, kapiteni Behar Ramadani, i rikthyer me fanellën bluzi pas pesë vitesh.

“Kemi detyrimin që këtë sezon Luftëtarin ta ngjisim në Kategorinë e Parë dhe të plotësojmë dëshirat tifozëve gjirokastrit. Kemi qenë pjesë e Superiores deri katër vite më parë dhe kjo skuadër meriton të jetë në elitë”, ka thënë fillimisht mesfushori shkodran, i cili pjesën më të madhe të karrierës e ka me fanellën e Luftëtarit.

Në katër vitet e fundit ai ka qenë te Flamurtari, ndërsa te bluzinjtë u kthye bashkë me dy shkodranë të tjerë: Erjon Vucaj dhe Elidon Dulaj.

“Nuk mund ta refuzoja kërkesën për shumë arsye. Në këtë skuadër u rrita si futbollist. Ky qytet më ka dashur dhe respektuar. Pas ofertës nga administratori Kristidhi dhe takimit me kryebashkiakun Flamur Golemi, nuk hezitova të firmosja. Kemi një grup futbollistësh cilësorë dhe në ekip konkurrenca është e madhe. Besimin e kam të plotë dhe do t’ia dalim, duke e nisur mbarë që nga ndeshja e parë kundër Tomorit. Me këtë grup lojtarësh, pse jo mund të pretendojmë edhe Superioren vitin tjetër”, përfundoi 34-vjeçari.

TOMORI- Gjendja e ekipit është optimiste, ndërsa pas lojës së kontrollit, stafi teknik është fokusuar te strategjia taktike. Mesfushori i qendrës dhe kapiteni i sapograduar, Sali Kumani, përpara nisjes për në Delvinë, është shprehur optimist.

“Edhe pse koha ka qenë e cunguar, skuadra ka punuar mirë dhe jemi të përgatitur që të përballojmë si duhet Luftëtarin. Do të luftojmë denjësisht për rezultat pozitiv”, deklaroi 25-vjeçari për “Panorama Sport”.

Ndërkohë, i vetmi problem për momentin, në rast se mund të quhet i tillë, lidhet me tifozërinë beratase, që ka kërkuar nga klubi mjete transporti për të mbështetur Tomorin në transfertën e largët, por një gjë e tillë duket se nuk është siguruar. Kështu që, për shkak të distancës së largët, numri i tifozëve nga Berati pritet që të jetë shumë i kufizuar.

SHKUMBINI-  Trajneri Anxhelo Suta beson se të tijtë do të bëjnë më të mirën, duke synuar edhe rikthimin në Kategorinë e Parë.

“Kemi punuar me përkushtim gjatë gjithë këtyre ditëve me lojtarë që duan të japin më të mirën. Nga ana jonë si staf jemi treguar të kujdesshëm për të afruar futbollistë që na vlejnë dhe që do të na garantojmë për synimet që kemi. Shkumbini meriton të kthehet në Kategorinë e Parë. E kemi të qartë se nuk do të jetë rrugëtim i lehtë, por kjo nuk do të na ndalë që të synojmë ngjitjen”, ka thënë Suta për “Panorama Sport”.

NDESHJET E SOTME

AF Luftëtari-Tomori 16:00 (Në Delvinë)

Memaliaj-Shkumbini 16:00

Këlcyra-Oriku 16:00

Turbina-Devolli 16:00

Butrinti-Delvina 16:00

Maliqi pushim

GËZIM BEQIRI/ EDI SPAHIU/ LULZIM RESULI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"