Kategoria e Dytë/ Luftëtari shfryn kundër Memaliajt, Tomor bën tris. Ja çfarë ndodhi në javën e 4-t në Grupin B

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2024 | 20:27

Kategoria e Dytë/ Luftëtari shfryn kundër Memaliajt, Tomor bën tris. Ja çfarë ndodhi në javën e 4-t në Grupin B

Luftëtari rikthehet të fitorja dhe këtë e bën kundër Memaliajt me shifrat 5-1. Pas humbjes në javën e dytë në Maliq, e më pas pushimit që kishte në kalendar për javën e tretë, dje bluzinjtë ia dolën të triumfonin thellë në fushën asnjanëse të Delvinës.

kategoria-e-dyte

Në këtë të fundit gjirokastritët do të luajnë edhe pak javë, pasi fusha e stadiumit “Luftëtari” po merr formë pas rinovimit që i është bërë. Sa i përket ndeshjes, pati pak histori dhe për këtë ndikoi edhe paraqitja e dobët e memaljotëve. Diferencat mes ekipeve ishin të mëdha dhe rezultati mund të ishte më i thellë. Loja pas minutës së 70-të i ngjau thjesht një stërvitjeje. Trajneri Shabani kreu të pesta zëvendësimet, ndërkohë që memaljotët kishin në stol vetëm dy futbollistë. Për Luftëtarin serinë e golave e hapi Mërkuri, i cili mori një pasim nga Ziaj dhe shënoi. Më pas realizoi për 2-0 Ziaj, që u shërbye nga Tuni. Ziaj shënoi edhe një tjetër gol nga rreth 30 metra distancë në pjesën e dytë, ndërsa Nazmi Gaba dhe në fund Diamanti, i dhanë fitoren e thellë Luftëtarit. Për Memaliajn realizoi vlonjati Shaqir Haruni.  GËZIM BEQIRI

 

LUFTËTARI-MEMALIAJ 5-1

Golat: Mërkuri 9’, Ziaj 21’, 56’, N.Gaba 45’, Diamanti 71’ / Haruni 83’

LUFTËTARI: Barbosa (Kristidhi 71’), Tuni, Ramadani, Ahmetaj, N.Gaba (Pula 60’), Mirani (Diamanti 60’), S.Puci, Th.Puci (Dulaj 60’), Vucaj, Ziaj, Mërkuri (Kadhe 60’). Trajner: Besmir Shabani

MEMALIAJ: Basha, Skënderaj, Kolila, Jaupi, Bilaj, Haruni (Matushi 72’), Laze, Flores (Barboza 67’), Aliaj, Akuma, Çaushaj.

Trajner: Klodian Mustafai

Gjyqtarë: M.Koçi, E.Kapxhiu, F.Behari (Durrës);

Kartonë të verdhë: Ziaji 8’ / Matushi 74’

Delegat: Shkëlqim Ali (Delvinë)

Vëzhgues: Krenar Peçi (Delvinë);

 

 Tomori bën tris në shtëpi me Turbinën

Tomori i kthen në formalitet fitoret në shtëpi, duke mundur pastër Turbinën me shifrat 3-0. Beratasit kishin një epërsi të dukshme, si në lojë ashtu edhe në shifrat e trefishta të fitores, e cila nisur nga kronika e rasteve të humbura gjatë këtij takimi, duhej të kishte qenë edhe më e thellë. Që në start, beratasit krijojnë raste për shënim, duke luajtur bukur nga krahët me Lirëzën nga e djathta dhe Biaje në të majtë. Mbështetja që vinte nga pasimet e Kumanit, Saracit dhe topave të gjatë nga reparti i mbrojtjes, bënë që dyshja sulmuese Arbëri-Ngene të dalin disa herë para portës së Toromanit.

Goli i parë me autor Ngene do të vinte minutën e 31-të pas krosimi të Biaje nga e majta e sulmit. Pjesa e parë u mbyll 1-0, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë, beratasit do të vijonin ritmin e lartë të lojës dhe do të gjenin shumë shpejtë golin. Fillimisht pas një rasti të artë të Arbërit, do të ishte Biaje që me një goditje të bukur shënon golin e dytë. Për të vijuar më pas me disa raste të humbura nga ana e vendësve, deri në minutën e 86-të, kur Ferreira pason saktë në zonë për të riun Lajthia dhe ky i fundit në debutimin e tij me fanellën e Tomorit, realizon golin e tretë, që vulosi fitoren e merituar të skuadrës beratase. EDI SPAHIU

  

TOMORI-TURBINA 3-0

Golat: Ngene 31’, Biaje 47’, Lajthia 86’

TOMORI: Souza, Vrapi, Basha, Skënderaj, Kulaj, Kumani (Henrike 76’), Biaje (Gabriel 65’), Ngene, Saraçi (Lajthia 58’), Lirëza (Ferreira 58’), Arbëri (Deliu 76’). Trajner: Iken Droboniku

TURBINA: Toromani, Diego, Angelo, Habibi, Zëre (Qoshja 83’), Gjoka, Aga (Kovaçi 63’), Hoxholli (Metaliaj 28’), Ribaldo, Ranxha (Xhameta 63’), Ismailaj. Trajner: Xhynejt Çutra

Gjyqtarë: E.Kotomelo, B.Hamzai, E.Shkëmbi (Korçë);

Kartonë të verdhë: Zëre 11’, Ribaldo 20’, Gjoka 74’

Delegat: Arianit Dobra (Librazhd)

Vëzhgues: Agim Guçe (Lushnjë);

 

Oriku s’di të ndalet, likuidon edhe Delvinën

Oriku kryesues nuk di të ndalet. Bregdetarët e drejtuar nga Sherif Idrizaj kanë fituar derbin e Qarkut të Vlorës, teksa kanë likuiduar edhe Delvinën me shifrat 1-0. Fati i këtij takimi u vendos në pjesën e dytë. Sulmuesi shkodran, Roland Shkreli, pasi e kualifikoi Orikun për të vijuar më tej në Kupën e Shqipërisë, duke eleminuar Lushnjën, dje i dha një tri pikësh të rëndësishëm në ndeshjen e radhës në kampionat. Ishte një aksion nga krahu i djathtë, ku Mezani pason për Calise, teksa ky i fundit vertikalizon për Shkrelin dhe shkodrani s’fal.  ERMAL SIKA

 

ORIKU-DELVINA 1-0

Goli: Shkreli 58’

ORIKU: Bunkohev, Gjoka (Buxhelaj 66’), Gjinaj, Periera, Bega (Rodrigues 66’), Shkreli (Kolonja 86’), Mezani (Kamberaj 66’), Itohan, Ekord, Zholi, Llojaj (Kapo 76’). Trajner: Sherif Idrizaj

DELVINA: Braho, Mehmeti, Boçi, Çarçani, Nikolla, Gonzales (Donou 60’), Musta (Sigudla 60’), Avduli, Arrojo (Gjeçi 60’), Rosa, Boni.

Trajner: Markeljan Alinani

GJYQTARË: G.Çokaj, E.Muça, R.Zeneli (Lezhë);

Kartonë të verdhë: Gjinaj 57’, Buxhelaj 88’, Zholi 90’ / Nikolla 52’, Musta 56’, Donunu 67’

DELEGAT: Emiljano Gjyla (Lushnjë)

VËZHGUES: Arjan Mali (Patos);

 

Butrinti trondit Shkumbinin në Peqin

Butrinti ka marrë një triumf të artë në Peqin, duke tronditur Shkumbinin me golin e kolumbianit Kordoba. Sfida ka nisur më një sulm të shpejtë të vendësve, të cilët godasin me kokë brenda zonës me Ksavier, por topi kalon ngjitur me shtyllën. Edhe Onuh provon nga jashtë zone për miqtë, por topi kalon mbi traversë. Minutat në vazhdim kanë qenë të qeta për të dyja ekipet dhe pa ndonjë rrezik për portat respektive. Pjesa e parë nuk pati më asgjë për t’u shënuar, teksa ekipet shkuan në dhomat e zhveshjes me shifrat 0-0. Në pjesën e dytë Mustafai dhe Mounde godasin portën mike, por goli nuk vjen. Në minutën e 54-të, pasi një goditje dënimi nga 30 metra distancë, Kordoba ekzekuton mjeshtërisht dhe befason portierin peqinas, Saliu. Në minutën e 60-të, Maskuero bëhet heroi i miqve, pasi Hasani në zone, godet dhe has në grushtimin e mrekullueshëm të portierit. Më pas “predha” e Llacjes nga distanca ndalet nga Ajala në zonën e portierit. Peqinasit kanë bërë përpjekje pa fund për të gjetur golin e barazimit, duke goditur edhe shtyllën me Zegarrian. Butrinti i trajnerit Adriatik Faslliu është mbrojtur mirë dhe në fund ka festuar fitoren në Peqin. Ky triumf i ngjit sarandjotët në vendin e tretë në renditje. LULZIM RESULI

 

SHKUMBINI-BUTRINTI 0-1

Golat: Kordoba 55’

SHKUMBINI: Saliu, Kamara, Rodriges, Sulkja, Hasani (Dhjari 70’), Nexha, Llacja, Mounde, Lamptei (Zegarra 79’), Daja, Mustafaj.

Trajner: Anxhelo Suta

BUTRINTI: Masquera, Gjata, Çulli, Dikson, Bocaj, O.Ageja, Kordoba (Çelo 70’), Silva (Ajala 64’), S.Ageja, Llana (Sejko 46’ – Lala 85’), Onuh. Trajner: Adriatik Faslliu

Gjyqtarë: E.Menkshi, D.Shkëmbi, K.Hitollari (Tiranë);

Kartonë të verdhë: Hasani 26’, Mustafai 52’, Llacja 63’ / S.Ageja 37’, Kordoba 57’, Bocaj 79’

Delegat: Ilir Shordja (Tiranë)

Vëzhgues: Emirion Sino (Fier);

 

Maliqi pa frena, Këlcyra gafë me 6 të huaj

Maliqi e ka nisur në mënyrën më të mirë këtë sezon, teksa dje regjistroi fitoren e tretë radhazi, duke mposhtur Këlcyrën 4-2. Miqtë befasuan në minutën e 7-të me anë të mbrojtësit Teka. Skuadra maliqare gjeti baraspeshën në fund të pjesës së parë me anë të sulmuesit Kame. Në pjesën e dytë Maliqi ishte dominues, duke shënuar golin e përmbysjes me Agollin. Nuk vonoi shumë dhe në minutën e 67-të, juglindorët realizuan edhe golin e qetësisë me Kamen. Të hutuar nga përmbysja e rezultatit, skuadra mike e Këlcyrës hedh në fushë lojtarin e gjashtë të huaj. Bëhet fjalë për minutën e 69-të, kur Hadaj i la vendin Araujos. Në këtë moment Këlcyra rreshtohet me 6 të huaj, katër titullarët, Kaseres, Montana, Markuez dhe Vidal, si dhe Dutra dhe Araujo të aktivizuar nga stoli. Mirëpo, në fushë lejohen 5 të huaj dhe ky gabim teknik tashmë do të shkojë në Disiplinën e FSHF-së. Ishte pikërisht Araujo, i cili në minutën e 74-t, do të rihapte sfidën duke ngushtuar shifrat në 3-2. Ndërsa për golin e sigurisë te Maliqi do të mendonte Arlind Xaka në minutën e 78-të. Këlcyra e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë, pasi në minutën e 81-të, mbrojtësi Teka, në një dyluftim në mesfushë, goditi me bërryl sulmuesin Xaka dhe mori me të kuq. ILDI MEROLLI

 

 MALIQI-KËLCYRA 4-2

GOLAT: Kame 45+1’, 67’, Agolli 55’, Xaka 78’ / Teka 7’, Araujo 74’

MALIQI: Almeida, Bregu, Cane, Blaceri, Torollari (Lipollari 81’), Demollari (Elmas 71’), Agolli (Xheferson 82’), Muçollari, Tako (Pero 60’), Kame (Xaka 70’), Adeoje. Trajner: Egli Malësija

KËLCYRA: Allmuça, Sulejmani, Teka, Spahiu (Duçka 64’), Hadaj (Araujo 69’), Bidika (Dutra 38’), Sinani, Kaseres, Montana, Markuez, Vidal. Trajner: Robert Spahiu

Gjyqtarë: G.Toska, A.Kyçyku, F.Shkëmbi (Tiranë);

Kartonë të verdhë: Bregu 29’, Kame 67’/ Bidika 17’, Sulejmani 19’, Teka 29’, 81’ Spahiu 55’

Karton i kuq: Teka 81’

DELEGAT: Renato Rapo (Korçë)

VËZHGUES: Donald Dikollari (Tiranë);

 

GRUPI B

Java 4 (20.10.2024)

 

Dje

Luftëtari-Memaliaj 5-1

Tomori–Turbina 3-0

Maliqi-Këlcyra 4-2

Oriku-Delvina 1-0

Shkumbini-Butrinti 0-1

Devolli pushim

RENDITJA

Skuadra              N    P    F    B    H    G+/G-

  1. ORIKU 4 10   3    1    0    5-0
  2. MALIQI 3 9    3    0    0    7-3
  3. BUTRINTI 4 8    2    2    0    3-1
  4. TOMORI      4    7    2    1    1    7-1
  5. SHKUMBINI 4 7    2    1    1    7-4
  6. LUFTËTARI 3 6    2    0    1    6-2
  7. DEVOLLI 3 5    1    2    0    4-3
  8. KËLCYRA 4 2    0    2    2    3-7
  9. TURBINA 4 1    0    1    3    4-10
  10. DELVINA 3 0    0    0    3    2-5
  11. MEMALIAJ 4 0    0    0    4    2-14

 

Java 5 (27 tetor)

 

Të dielën

Këlcyra-Luftëtari 14:00

Turbina-Maliqi 14:00

Butrinti-Tomori 14:00

Delvina-Shkumbini 14:00

Devolli–Oriku 14:00

Memaliaj pushim

 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"