Kategoria e Dytë/ Tension në Pukë, Tërbuni fiton dhe Veleçiku akuzon. Ja çfarë ndodhi në javën e 4-t në Grupin A
Tërbuni ka marrë tri pikë të arta në duelin kundër Veleçikut, që u vendos nga një penallti në minutën e 73-të, e cila u kontestua fuqishëm nga koplikasit. Nga pika e bardhë u tregua i saktë sulmuesi Kaçubela dhe pukjanët ruajtën avantazhin 1-0 deri në fund.
Ndeshja nisi me një minutë heshtje në nderim të Astrit Kuçit, ish-drejtuesit të Tërbunit, që u nda nga jeta dy ditë më parë. Loja ka nisur e qetë, por me pukjanët më kërkues. Në minutën e 13-të, Lekaj godet shtyllën, ndërsa më pas është Kaçubela që tenton të shënojë. Pjesa e parë mbyllet pa gola, ndërsa e dyta fillon me zëvendësime për të dyja ekipet. Në minutën e 48-të Veleçiku mbetet me 10 lojtarë, pasi Pjetracaj lë fushën pas dy kartonëve të verdhë. Ndërsa vendimtare ishte minuta e 73-të, kur arbitri Hysa akordon penallti për Tërbunin pas prekjes së topit me dorë nga Çokaj. Ky i fundit proteston ashpër tek arbitri dhe ndëshkohet me karton të kuq, duke lënë Veleçikun me 9 lojtarë. Në fakt, reagimi i futbollistëve miq, por edhe i trajnerit Duli e drejtorit Rexha ka qenë i ashpër tek arbitri pas akordimit të penalltisë, por asgjë nuk ndryshoi. Pas golit të Kaçubelës, nuk pati më histori, edhe pse pukjanët kërkuan të dyfishonin shifrat. Gjithçka u mbyll 1-0 dhe me protestat e koplikasve kundër arbitrit Hysa.
REAGIMI
Trajneri i Veleçikut, Besnik Duli, si dhe drejtori teknik, Nuri Rexha, kanë denoncuar gjykimin në Pukë, duke e konsideruar si vendimtar në rezultatin e ndeshjes. “Arbitri na ndëshkoi me pa të drejtë, jo vetëm për dy të kuqtë, por edhe penalltinë që akordoi për Tërbunin. Sektori i garave në FSHF duhet të mos e anashkalojë Kategorinë e Dytë”, është shprehur trajneri dhe drejtori i klubit koplikas për gazetën pas ndeshjes. Pas 4 javësh kampionat, koplikasit pozicionohen në vendin e pestë, ndërsa Tërbuni me fitoren e djeshme u ngjit i treti. GANI PEMA / BASHKIM RAMEKAJ
TËRBUNI-VELEÇIKU 1-0
Goli: Kaçubela 73’ (11-m)
TËRBUNI: Angjelovski, Temja, Leka (Bizi 83’), Troshani (Ekezie 65’), Zere, Arbana (Alillari 65’), Laceja, Longe (Duka 83’), Salami, Gjini, Kaçubela. Trajner: Sinan Bardhi
VELEÇIKU: Lopçi, Çokaj, Kukaj, Banushaj, E.Rrustemaj (Bzhetaj 87’), Brojaj (Ivziku 41’), B.Rrustemaj (Ndrecaj 65’), Pjetracaj, Kaçaj, Shekaj, Rragami. Trajner: Besnik Duli
Gjyqtarë: F.Hysa, O.Berberi, D.Tafaj (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Lekaj 68’, Kaçubela 73’ / Kaçaj 27’, Rexha 40’ (zyrtar i klubit), Pjetracaj 45’, 49’, Rrustemaj 65’, Ivziku 90’
Kartonë të kuq: Pjetracaj 49’, Çokaj 74’
Delegat: Skënder Abdyli (Shkodër)
Vëzhgues: Pajtim Lapi (Shkodër)
Shtatë gola, Luzi shkatërron Albanët
Luzi 2008 e ka kthyer në festival golash ndeshjen e djeshme në kompleksin “Internacional” në Pezë, duke mundur me shifrat 1-7 skuadrën kryeqytetase, Albanët. Pas një starti të lojës, ku kanë hasur në rezistencën e fortë të vendësve, luznjakët ia dolën të shënonin një gol me anë të Irdi Morinës në minutën e 16-të. Albanët u munduan të reagonin, por nuk kishin forcën e duhur përballë një skuadre si Luzi, që ka lojtar me eksperiencë, të cilët kanë luajtur edhe në Kategorinë e Parë gjatë dy sezoneve të kaluara. Diferenca mes skuadrave u bë në pjesën e dytë, kur Luzi shpërtheu në gola. Miqtë shënjestrojnë mirë portën e Lenjës, ku fillimisht Morina dyfishon shifrat dhe plotëson dopietën personale. Më pas, vijnë golat e Jakupit, Lahos, Jakubut, Thanës dhe Ballës, duke vulosur shifrat 1-7. Ndërkohë kur rezultati ishte 0-4, Petritaj për Albanët shënoi golin e vetëm. Ky triumf i thellë e ngjit Luzin të parin, edhe pse me pikë të barabarta me Ilirinë, por duke përfituar nga golavarazhi më i mirë që ka. Javën e ardhshme skuadra e Lorenc Pashjes ka gjithashtu një ndeshje të lehtë në letër, teksa pret Murlanin e vendit të fundit në grupin A. ABDULLA DUSHKU
ALBANËT-LUZI 2008 1-7
Golat: Petritaj 78’ / Morina 16’, 47’, Jakupi 51’, Laho 73’, Jakubu 79’, Thana 81’, Balla 90’
ALBANËT: Lenja, Troksi, Çuni, Shembitraku, Tra Anderson, Petriti, Xhabafti (Mema 54’), Shkreta (Al-Sauai 19’), Zouzou, Methoxha (Maçi 54’), Spahiu (Mania 38’). Trajner: Altin Birçe
LUZI 2008: Mati, Bali (Buca 64’), Xhika, Laho, Jakupi (Thana 72’), Jakubu, Longcat (Çeliku 64’), Osma, Goga, Hasa (Zeneli 72’), Morina (Balla 63’). Trajner: Arvist Gjata
Kartonë të verdhë: Methoxha 40’ / Longcat 56′
Karton i kuq: Al-Sauai 29’
Iliria super, “poker” golash Naftëtarit
Iliria nuk ka falur në shtëpi, duke mundur Naftëtarin me shifrat e thella 4-1. Për vet objektivat që ka për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë, fushëkrujasit e kishin vlerësuar në maksimum këtë përballje. Adolf Selmani është bërë protagonist në minutën e 41-të, falë edhe një devijimi të Gjishtit, duke kaluar në avantazh Ilirinë. Pas mbylljes së këtij fraksioni me shifrat 1-0, reagimi i kuçovarëve ka qenë i mirë në pjesën e dytë. Naftëtari arrin të barazojë në minutën e 54-t me anë të Abedajo. Gjithsesi, ky gol nuk e dekurajoi skuadrën e Alfred Allamanit. Iliria arrin të vendosë në kontroll të plotë lojën dhe të shënojnë tre gola të tjerë deri në fund. Mesfushori Okonkou kalon në epërsi 2-1 fushëkrujasit në minutën e 73-të, ndërsa dopieta e Olantubasun vulos fitoren e thellë të Ilirisë. Skuadra fushëkrujase ecën e sigurt drejt objektivave dhe ruan vendin e parë në renditje, paçka se me pikë të barabarta me Luzin. Në javën e ardhshme Iliria luan një transfertë delikate kundër Sopotit në Librazhd. Diferenca në pikë mes dy skuadrave është tre, por Iliria do të kërkojë sërish të dalë me fitore nga ky takim, për të ruajtur vendin e parë në grup. ABDULLA DUSHKU
ILIRIA-NAFTËTARI 4-1
Golat: A.Selmani 41’, Okonkvo 73’, 76’, Olatunbasun 90’ / Adebajo 54’
ILIRIA: Xhika, Kallaku, A.Selmani, Stafa (Bakalli 70’), B.Selmani, Okonkou, Koleci (Likaj 83’), Plaku (Merkoçi 70’), Veriu (S.Selmani 58’), Olatunbasun, Qehaja (Trokthi 80’). Trajner: Alfred Allamani
NAFTËTARI: Birja (Soronadi 72’), Fakaj, Kajo, Çaço, Vrapi, Gjishti, Godoi, Këndella (Hysa 60’), Adebajo (Pirja 76’) Aguai, Karaj (Koroveshi 77’). Trajner: Brajan Fraholli
Gjyqtarë: K.Qëndro, D.Hajrulla, R.Seferaj (Vlorë);
Kartonë të verdhë: B.Selmani 63’ / Kajo 47’
Delegat: Eno Xhaferaj (Tiranë)
Vëzhgues: Kridens Meta (Tiranë);
Sopoti bën detyrën, Murlani shpërdoron
Sopoti ka dalë me tri pikë nga fusha e Barbullushit, duke mundur Murlanin me shifrat 0-2. Skuadra shkodrane ka rezistuar vetëm 56 minuta, në një kohë që i ka pasur të gjitha shanset për të kaluar në avantazh në këtë përballje. Në pjesën e parë Murlani ka shpërdoruar një penallti me anë të Çokajt. Në pjesën e dytë, Sopoti shënoi dy gola njëri pas tjetrit. Fillimisht Myslimi kaloi në avantazh librazhdasit, ndërsa Aminu dyfishoi shifrat në minutën e 65-të. Më pas ndeshja nuk pati më histori, pavarësisht përpjekjeve të Murlanit. ENDRI ÇINARI
MURLANI-SOPOTI 0-2
Golat: Myslimi 56’, Aminu 65’
MURLANI: Çaku, Guri, Shpuza (Preza 66’), Hila, Pepaj, Uku, Çokaj (Velaj 73’), Nika, Gjylbegaj, Cubi, Djepaxhia (Gazulli 80’).
Trajner: Vahedin Pepaj
SOPOTI: Hasfatija, Broshka, Ferhati (Taku 79’), Seferi, Rreshka (Goçi 56’), Amoumane (Najara 72’), Aminu (Jugu 79’), Ukaj (Tanushi 79’), Abdulaje, Myslimi, Mici. Trajner: Besnik Kola
Gjyqtarë: H.Arapi, J.Isufi, S.Dhima (Fier);
Kartonë të verdhë: Djepaxhia 54’, Hila 54’, Nika 56’, Çokaj 62’ / Aminu 45’, Rreshka 56’, Najara 90’
Karton i kuq: Hila 90’
Basania, fitore historike kundër Gramshit
Basania ka arritur më në fund fitoren e parë në Kategorinë e Dytë, e cila mund të quhet historike kundër Gramshit. Në përfaqësimin e saj në këtë nivel, skuadra që përfaqëson zonën e Bushatit, ia doli që në javën e katër të mund me shifrat 3-0 Gramshin. Ishte një ndeshje e dominuar nga skuadra e trajnerit Haris Lika. Që në minutën e 3-të, Brilant Hasaj i ofrohet golit, teksa me kokë e dërgon topin në traversë. Më pas Mario Kola edhe kapiteni Alsid Tafili tentojnë të shënojnë, por goli nuk vjen në pjesën e parë. Gramshi nga ana tjetër, arriti që të kërcënojë portën e Basanias në dy momente. Pas pushimit, Basania futet më e karikuar në fushë dhe rezultati do te zhbllokohej në minutën e 48-të. Pas një krosimi të Shimajt nga e majta, Konate me kokë do ta dërgonte topin në rrjetë. E njëjta histori edhe në minutën e 57-të, kur Shimaj kroson dhe afrikani Konate shënon sërish me kokë. Në minutat shtesë do të ishte mesfushori Arber Daija, i cili vulos fitoren me golin e tretë. Basania në këtë mënyrë do të siguronte triumfin, duke u ngjitur në kuotën e 4 pikëve. Në javën e ardhshme, Basania do të luajë kundër Veleçikut në fushën e Koplikut. ENDRI ÇINARI
BASANIA-GRAMSHI 3-0
GOLAT: Konate 48’, 57’, Daija 90+3’
BASANIA: Marku, Evandro, Shema, Hoxhaj, Kola, Tafili, Hasaj (Leka 77’), Daija, Shimaj (Hoxhaj 90+2’), Nikshiqi, Konate.
Trajner: Haris Lika
GRAMSHI: Sogani, Shehi, Xhika, Dedja, Xhelili, Muzhaqi (Bermudez 90+1’), Lila (Zogu 59’), Ajazi (Goga 70’), Malaj, Baku, Liçe (Topalli 70’). Trajner: Hetlen Çapja
Gjyqtarë: D.Veizaj (Lushnjë), D.Mile (Fier), E.Fejzullah (Patos);
Kartonë të verdhë: Shimaj 90’, Kola 90’ / Dedja 69’
DELEGAT: Sabri Kalleshi (Shijak)
VËZHGUES: Gëzim Gaçi (Tiranë);
KATEGORIA E DYTË
GRUPI A
Java 4 (20-21 tetor)
Dje
Tërbuni-Veleçiku 1-0
Albanët-Luzi 2008 1-7
Murlani-Sopoti 0-2
Iliria-Naftëtari 4-1
Basania-Gramshi 3-0
Sot
Adriatiku-Besëlidhja 1-2
RENDITJA
Skuadra N P F B H G+/G-
- LUZI 2008 4 10 3 1 0 16-8
- ILIRIA 4 10 3 1 0 7-1
- BESËLIDHJA 4 9 3 0 1 8-4
- TËRBUNI 4 8 2 2 0 7-3
- SOPOTI 4 7 2 1 1 7-2
- VELEÇIKU 4 6 2 0 2 9-3
- ADRIATIKU 4 4 1 1 2 7-7
- BASANIA 4 4 1 1 2 7-9
- NAFTËTARI 4 4 1 1 2 3-7
- ALBANËT 4 3 1 0 3 5-15
- GRAMSHI 4 2 0 2 2 3-7
- MURLANI 4 0 0 0 4 1-14
Java 5 (26 tetor)
Të shtunën
Veleçiku-Basania 14:00
Besëlidhja-Tërbuni 14:00
Naftëtari-Adriatiku 14:00
Sopoti-Iliria 14:00
Luzi 2008-Murlani 14:00
Gramshi-Albanët 14:00
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"