Kategoria e Dytë/ Tomori me 35 lojtarë. Tërbuni test me Veleçikun, Besëlidhja nis provat me Basanian
Për një skuadër të njohur si Tomori, ringritja nga niveli zero ku ndodhej në fund të gushtit, është cilësuar si një situatë kalimtare. Aktualisht po punohet për konsolidimin e plotë të skuadrës, e cila ka marrë një tjetër fizionomi sa i përket përbërjes me futbollistë cilësorë.
Falë marrëdhënieve të ngushta miqësore të sponsorit beratas, skuadra si Bylisi, Besa dhe Vora kanë huazuar lojtarë, duke bërë që organika aktuale e Tomorit të shkojë në 35 futbollistë. Të gjithë këta do t’i nënshtrohen fazës së seleksionimit. Këtë e pohon edhe trajneri i ekipit beratas. “Tani kemi një organikë të pasur me futbollistë, që krahas elementit vendas, kemi përforcuar me lojtarë nga Bylisi, Besa dhe Vora. Ndaj, dua të falënderoj presidentët e këtyre skuadrave, që po kontribuojnë për Tomorin. Me miqësoren e kësaj jave do të nisim fazën e seleksionimit të domosdoshëm”, u shpreh trajneri Iken Droboniku. EDI SPAHIU
Stërvitje dhe afrime, Tërbuni sot mat forcat me Veleçikun
Tërbuni vazhdon fazën përgatitore nën drejtimin e trajnerit Sinan Bardhi. Nga ekipi janë larguar disa titullarë të sezonit të shkuar, por ka edhe afrime. Anderson Filipi, pas kalimit të dëmtimit, ka firmosur me Tërbunin. Firmën e kanë hedhur dhe dy nigerianë, që ishin në provë prej dy muajsh.
Humbja 4-0 në miqësore me Valbonën i ka lënë të pakënaqur drejtuesit, por nuk e kanë humbur besimin tek ekipi. Sot pukjanët do të luajnë një tjetër miqësore, kundër Veleçikut. Drejtori teknik, Alfred Pjetri, thotë se stafi është munduar të afrojë lojtarë cilësorë dhe për këtë përgëzoi trajnerin Sinan Bardhi dhe ndihmësin e tij, Donald Lari. “Starti i sezonit do të jetë i fortë, por presim në shtëpi Ilirinë e Fushë Krujës. Kam shumë besim se do ta nisim mbarë. Do të luajmë para tifozërisë sonë që është entuziaste se ekipi do ta nisë me fitore kampionatin”, tha Pjetri. GANI PEMA
Besëlidhja në luftë me kohën, Smajli: Objektivat gjatë rrugës
Nën drejtimin e trajnerit lezhjan, Dritan Smajli, Besëlidhja vijon stërvitjen për llogari të fazës përgatitore. Duke qenë se skuadra është grumbulluar me vonesë, përgatitjet po zhvillohen me ngarkesë. Lezhjanët kanë planifikuar për sot një ndeshje miqësore, që do të luhet në stadiumin e Lezhës, në ora 16:00, kundër Basanias. Trajneri i Besëlidhjes, Dritan Smajli, për “Panorama Sport” u shpreh:
“Stërvitja ka vijuar normalisht, ndonëse e kemi ngarkuar pak për arsye të grumbullimit me vonesë. Gjërat po ecin mirë, ekipi po merr formë nga ana fizike dhe teknike. Duke parë cilësinë e Kategorisë Dytë, ne objektivat do t’i vendosim gjatë rrugës, por nuk heqim dorë nga vendet e para, pasi shpresoj shumë në konsolidimin e ekipit për të realizuar objektivin final. Sot kemi planifikuar një miqësore kundër Basanias, që do ta zhvillojmë në stadiumin e Lezhës, në ora 16.00″. PRENG GJIKOLAJ
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"