KATEGORIA E TRETË/ Klosi mund Basaninë, 10 gola dhe 4 të kuq në Përmeti-Çerma. Ja rezultatet dhe renditjet
Me dy ndeshjet e luajtura dje në Kamzë, është mbyllur java e 12- të e Grupit A në Kategorinë e Tretë. Fillimisht janë ndeshur Klosi-Basania, ku fitues kanë dalë matajnët.
Ka qenë një duel me ritëm dhe që ka dhuruar momente emocionuese, por me ekipin e Lulzim Kolës dominues. Ishte Ronaldo Cevani heroi. Shënoi nga një gol për secilën pjesë, duke zhvlerësuar edhe barazimin e përkohshëm të Abdijës.
Paraqitje bindëse bënë edhe të rinjtë si Ergys Kola, Endrion Gjoka e Ervin Duraku. Klosin ruan vendin e tretë në renditje, duke mbetur ende në radhët e pretendentëve për ngjitjen në Kategorinë e Dytë.
Ndeshja tjetër pastaj, prodhoi shumëçka. Dhjetë gola në total në Çerma-Përmeti, por edhe 4 kartonëve të kuq të akorduar në të njëjtën minutë.
Të gjitha për sharje dhe ofendime ndaj kryesorit Sokol Bebja. Lushnjarët e nisën lojën thuajse në avantazh, pas rrjetës së Erjon Sulës.
E megjithatë, barazimi vjen në të 24-ën prej Todhes dhe përmbysja në të 44- ën dhe shtesë prej dopietës së Llazos. Para se të shkonin në këtë pikë, Çerma u “sakatua”. Ishte minuta e 42-të kur 3 futbollistë të Çermës dhe trajneri skuqen. Klajdi Prifti, Rafaelo Çela si lojtarë aktiv në lojë, por dhe Sami Hajdari e trajneri Hekuran Dobra nga stoli ndëshkohen.
Në fraksionin e dytë, lushnjarët nuk kthehen të dorëzuar dhe duhen lavdëruar për shpirtin luftarak. Ndonëse në disbalancë numerike, i bëjnë “zbor” Përmetit dhe ngushtojnë shifrat në 3-2 me Priftin.
Por, Llazo shuan ëndrrën e tyre për të barazuar, sepse shënon golin e 4-t për përmetarët. Për mbyllje janë edhe dy dopieta të tjera për secilën skuadër, Gestian Koçi shënon për Çermën dhe Ledion Qelaj për Përmetin.
Me këtë fitore, ekipi i Orgest Todhes merr kryesimin e Grupit A.
Ndeshjet e Grupit B do të luhen të martën e 25 prillit, shtyrje kjo që vjen për shkak të festës së Bajramit.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"