Katër dëmtime dhe dy lojtarë të pezulluar, Apolonia me probleme para kryesuesve
Dëmtimet janë kthyer në makth për Apoloninë. Humbja në Pogradec duket se do t’i shtojë disa “plagë” të tjera fierakëve, madje në të gjitha repartet, që nga porta deri te sulmi. Para transfertës me liqenorët, Apolonia pati një ecuri pozitive që u shoqëruan me ngjitjen në renditje, por nuk ka pasur shumë fat me dëmtimet.
Një prej tyre është edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës me 5 gola, sulmuesi Xhovalin Trifoni, i cili ka munguar dje në stërvitje, për shkak se ka pësuar një çarje në këmbë dhe ka vështirësi të verë këmbën e djathtë në tokë. Burime pranë klubit, konfirmojnë se 20-vjeçari do të nis më vonë punën me grupin dhe nuk dihet nëse do të jetë gati për ndeshjen e radhës.
Fierakët do të luajnë të premte, më 8 nëntor, në “Loni Papuçiu”, ku do të presin Vorën. Një tjetër lojtar i dëmtuar është dhe mesfushori Jasin, i cili zëvendësoi rreth 30 minuta Trifonin e dëmtuar. Edhe keniani ka munguar dje në stërvitje, sepse ka ndier shqetësime në kavilje. Në fakt, ky problem është shumë i njohur pasi mesfushori Jasin ka pasur probleme me kaviljen që kur ka ardhur në Fier. Gati nuk do të jetë as qendërmbrojtësi Serjan Repaj, që ka pësuar tërheqje në kofshë që kur u luajt sfida me Flamurtarin në Vlorë.
Pas një periudhe të gjatë, disa javore me stërvitje individuale, Repaj vijon të stërvitet me ritëm të ngadaltë në fushë, por edhe duke bërë terapinë përkatëse te fizioterapisti. I dëmtuar është edhe Mikael Rakipaj që në fakt ka patur probleme të përjavshme me gjurin. Do të duhet ende kohë për portierin Leonard Kaçaj, që ka pësuar tërheqje në transfertën e Peshkopisë. Burime pranë klubit, pohojnë për “Panorama Sport” se Kaçajt i duhet edhe së paku dy javë kohë për t’u rikuperuar.
Në këto javë të fundit që portieri kryesor ka munguar, Aldo Bushi e ka bërë mjaft mirë detyrën duke mbrojtur portën fierake. Ndaj Vorës do të mungojnë Enea Topi dhe Albashir Musa, pasi kanë plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë.
Edhe dy të tjerë rrezikojnë, pasi kanë 3 kartonë të verdhë. Bëhet fjalë për mbrojtësin Ndubuisi dhe sulmuesin Umejiego, të cilët janë këshilluar për qetësi dhe vetëpërmbajtje në fushë. Lajm i mirë është rikthimi i mesfushorit Abjel Bejzade, që e ka shlyer pezullimin me një ndeshje. Lajm tjetër i mirë është se mesfushori Rubin Hebeja e ka kaluar dëmtimin, luajti 90 minuta në Pogradec dhe të premten do të jetë sërish gati për ndeshjen e radhës me Vorën.
HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"