Katër humbje në pesë javë, Skënderbeu tregon limitet (SITUATA)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2024 | 17:46

Katër humbje në pesë javë, Skënderbeu tregon limitet (SITUATA)

Që ky Skënderbe nuk është më ai i sezonit që shkoi, nuk është e vështirë të kuptohet. Skuadra korçare është në vështirësi serioze në këtë fund të fazës së parë, ku humbja me Egnatia e ka futur plotësisht në krizë. Në fakt janë 4 humbje të pësuara në 5 javët e fundit të kampionatit, shumë për një skuadër që sezonin e shkuar mori pjesë në “Final 4”.

skenderbeu

Me këtë ritëm juglindorët vështirë se mund të qëndrojnë në nivelin elitar të futbollit shqiptar. Largimi i disa lojtarëve me peshë gjatë merkatos së verës, si Liço dhe Frenklin, duket se ka lënë pasoja. Skënderbeu e ka të vështirë të administrojë ndeshjet edhe kur është në avantazh, siç ka pohuar edhe trajneri Ivan Gvozdenoviç.

DËSHTIMET SHTËPIAKE – Për të kuptuar ndryshimin me Skënderbeun e sezonit të fundit mund të përmendet fakti se që në startin e sezonit korçarët kanë humbur dy herë në shtëpi. Skuadra e trajnerit Ivan Gvozdenoviç është mundur në Korçë 2-3 nga Teuta dhe së fundi 0-1 nga Egnatia. Dhe duke ditur që jashtë fushe Skënderbeu e ka shumë të vështirë për të marrë pikë, humbjet në shtëpi e bëjnë situatën alarmante. Gjithçka reflektohet edhe në tabelën e klasifikimit, ku korçarët janë në vend të 8-të, në zonën e “Play out”-it.

Ndoshta koha e ndërprerjes së kampionatit do ta ndihmojë Skënderbeun që të reflektojë. Sfida e radhës është ajo me Bylisin, që në këtë moment është kthyer në një rival direkt për korçarët, sepse më afër kanë zonën e rënies së atë të kreut. Luhet në Ballsh, ku Skënderbeu së paku duhet të shmangë humbjen. Deri atëherë stafi teknik ka kohën e nevojshme për të rregulluar disa gjëra që nuk shkuan si duhet kundër Egnatias.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"