Kejni “i vogël” ndaj Junajtidit, i shënon një herë në çdo 326 minuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2023 | 20:37

Kejni “i vogël” ndaj Junajtidit, i shënon një herë në çdo 326 minuta

Herri Kejn do të vihet sërish përballë Mançester Junajtidit, ndonëse tashmë djersin fanellën e Bajernit. Edhe pse ai gëzon formë të mirë në javët e para si bavarez, të dhënat kundër “djajve” janë tepër shqetësuese.

19-18c5b85c255c4f7fb54c61aff3b7fb81

STATISTIKAT-Herri Kejn është “përplasur” me Junajtidin në 19 raste, e ku ka dalë i fituar vetëm 6 herë, e pasuar me 3 barazime dhe 10 disfata. Situata bëhet akoma më shqetësuese nëse u referohemi të dhënave individuale. Në kuadrin e 19 prezencave, Herri numëron plot 1.633 minuta lojë aktiv, e shoqëruar me 5 gola.

Mesatarisht i bie që Kejni e ka gjetur rrugën e rrjetës përballë 20 herë kampionëve të Premier Ligës çdo 326 minuta e 6 sekonda. Ky përfundim nuk do t’u pëlqejë aspak tifozëve bavarezë e ku mund të ruajë trendin edhe në duelin e mbrëmjes. Kapiteni i “tre luanëve” është prononcuar në konferencë përpara ballafaqimit me “djajtë” se arsyeja kryesore që e shtyu të zgjidhte bavarezët mbetet triumfi në Ligën e Kampionëve. Ndër të tjera, 30-vjeçari ka treguar se përse zgjodhi Bajernin, përpara Junajtidin në merkaton e verës.

QËLLIMI-“Ka një arsye tejet specifike mbi prezencën time te Bajerni dhe ajo korrespondon me Champions-in. Jam i gatshëm të bëj gjithçka që ta arrij si sukses. Liga e Kampionëve vlerësohet më të drejtë si kompeticioni më i rëndësishëm për klube dhe ku ka ndjesi më të bukur për një kapiten të Anglisë që të kurorëzohet në ‘Wembley’. Gjithsesi, të fokusohemi në sfidën e parë dhe më pas t’i marrin ndeshjet me radhë”, tha me nota të larta entuziaste “pyka” e Bajernit.

KUNDËRSHTARI-“Junajtidi po kalon nisje jo të mirë të sezonit. Trajneri dhe tifozët presin reagim dhe Bajerni që shërben si motivim për çdo futbollist në dhënien e më të mirës. Ne duhet të tregohemi të kujdesshëm. Shpejtësia e anësorëve është arma e tyre më e fortë, prandaj nuk duhet të na humbasë vigjilenca. Krijimi i rasteve dhe shfrytëzimi i tyre do të jetë detyra jonë kryesore”, tha futbollisti me numër 9 në “Allianz Arena”.

SITUATA ME MEGUAJËRIN-“Ai është vënë në presion pa arsye. E konsideroj mik të mirë dhe vërtet punëtor në shërbim të ekipit. Të mos harrojmë se Meguajër ka qenë një nga mbrojtësit më të mirë të Anglisë në kohët e fundit. Unë besoj vërtetë në cilësitë e tij, vetëm duhet ta lëmë të qetë”.

DALLIMI I BAJERNIT ME TOTENHEMIN-“Mjafton të cekim faktin se klubi im i ri e ka fituar 11 herë radhazi Bundesligën, çka do të thotë se janë projektuar për të fituar. Detyra jonë përkon me mbajtjen e këtij rendimenti, jo vetëm brenda kufijve”, shtoi ish-futbollisti i “gjelave” të Londrës, i cili mban rekordin si kryeshënues me 280 gola.

OPSIONET-“E di se ka pasur disa bisedime me klube të ndryshme në prapavijë, por Bajerni ishte ekipi që më interesonte. Fokusi im ishte Mynihu. E qartë se Mançester Junajtidi është klub i madh dhe me lavdi, ama unë vendosa të bashkohesha me bavarezët dhe jam tepër i lumtur”, përfundoi Herri Kejn në prag të sfidës me “djajtë”.

statistikat

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"