“Kemi bërë gabime papjekurie”, Gvozdenoviç: Rëndësi ka reagimi kundër Laçit, koha të fitojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2024 | 9:21

“Kemi bërë gabime papjekurie”, Gvozdenoviç: Rëndësi ka reagimi kundër Laçit, koha të fitojmë

Dy humbje radhazi kanë zhytur Skënderbeun në një krizë rezultatesh dhe në ndeshjen kundër Laçit të gjithë kërkojnë medoemos reagimin.gvozdenovicTrajneri Gvozdenoviç është ai që ndjen më tepër presionin e mungesës së rezultateve dhe në konferencën për mediat ka deklaruar se ndaj kurbinasve ekipi do të futet në fushë vetëm për 3 pikët. Për ndeshjen kundër Laçit, dy afrimet e fundit, Doka dhe Balaj nuk janë ende gati, ndaj trajneri pritet t’i besojë të njëjtit ekip si takimin e fundit.

Pas dy humbjeve radhazi, a është ndeshja më e rëndësishme e kësaj periudhe kundër Laçit?

Normalisht që në një moment të tillë çdo ndeshje merr tjetër vështirësi dhe mbi të gjitha tjetër rëndësi. Vijmë pas dy humbjesh dhe me një bilanc jo të mirë pikësh që nuk kemi mundur dot t’i marrim aq sa duhet të merrnim apo sa meritonim. Kundër Laçit do të jetë një ndeshje ku reagimi dhe kthimi te rezultatet pozitive është mëse i nevojshëm. Kjo është e sigurt dhe gjithë kësaj jave ne kemi punuar për të krijuar grupin e duhur për të marrë më të mirën.

A ju shkakton presion kjo situatë?

Nëse do i referohemi pikëve dhe situatës në këto javë normalisht që krijon një farë ngarkese. Por, ne nuk e ndjejmë diçka të tillë pasi kemi besim tek aftësitë tona dhe shumë siguri sa i përket sezonit të nisur. Kemi zhvilluar ndeshje të mira dhe kemi mangësi vetëm në raport me pikët. Kjo na bën të jemi më të qetë. Nuk e them këtë për të ulur tensionin, por kjo është e vërteta.

Me Dinamon kemi parë një ekip me dy fytyra. Çfarë nuk shkon?

E drejtë, kemi bërë një ndeshje jo të mirë në pjesën e parë ndërsa në pjesën e dytë kemi rregulluar shumëçka. Kemi shënuar dhe kishim mundësinë që të kalonim në avantazh me Bismark. Jemi ndëshkuar nga një gabim papjekurie dhe kjo na shqetëson më shumë. Duhet të bëjmë më mirë në gjithë ndeshjen dhe të tregohemi më të përqendruar në çdo moment të lojës.

Mos ndoshta është momenti për ndryshime në lojë?

Mund të ndryshosh kur një ekip nuk funksionon. Por, ne kemi funksionuar mirë. Kemi bërë ndeshje të mira dhe ekipi është përgjigjur në fushë. Këtë e them me siguri. Ndaj kjo nuk është diçka që ka rëndësi në këtë moment. Rëndësi ka që ne të reagojmë në raport me pikët dhe kjo duhet të vijë që në ndeshjen e radhës.

Pra, po thoni se kundër Laçit ju bën punë vetëm fitorja?

Skënderbeut gjithmonë në çdo ndeshje i bën punë fitorja. Dhe ky takim radhe nuk bën përjashtim. Do të hyjmë në fushë me qëllimin që të marrim maksimumin e mundshëm në këtë ndeshje dhe të kthejmë rezultatet pozitive. Kjo është ajo që ne kërkojmë në çdo ndeshje dhe kemi punuar për këtë takim.

Nuk kemi parë asnjë nga afrimet e fundit. Kur do të jenë gati?

Mund të them se kanë nevojë për kohë. Doka është mbrapa me përgatitjet fizike, por po punon fort për të qenë sa më shpejt në dispozicion maksimal për ekipin. Balaj ka një farë forme, por edhe për këtë takim nuk është 100% gati për të qenë në fushë. Po kështu edhe Randi, i cili është bashkuar para dy ditësh me ne. Duhet të presim edhe pak.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"