“Kemi një ekip fantastik”, Orjan Xhemalaj karikon Vorën: Ndaj Elbasanit fitojmë trofeun
Mesfushori i Vorës, Orjan Xhemalaj, është i bindur se të enjten ndaj AF Elbasanit do të fitojnë finalen e Kategorisë së Dytë, duke mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë. 33-vjeçari, me një eksperiencë të madhe në futbollin shqiptar, duke qenë edhe pjesë e Teutës, Dinamos, Kamzës, Erzeni dhe Egnatias, në prononcimin për “Panorama Sport”, nuk e fsheh kënaqësinë e arritjes së objektivit madhor, që ishte ngjitja në Kategorinë e Parë.
“Kemi një ekip fantastik dhe jemi gati të kurorëzohemi me trofeun e Kategorisë së Dytë. Ka qenë një investim i shkëlqyer i klubit dhe ne e kemi merituar këtë arritje. Tashmë jemi të gatshëm ta realizojmë 100 për qind objektivin. Misioni përfundimtar është shpallja kampion dhe skuadra jonë ka bindur si në lojë dhe rezultate, duke u treguar rivalëve se ishim më të mirët. Ka qenë një rrugë e gjatë dhe mjaft e vështirë për të realizuar ngjitjen. Një nga protagonistët ishte vetë presidenca, e cila investoi shumë në infrastrukturë, po ashtu edhe në ndërtimin e një skuadre elitare me futbollistë të përvojës.
Në fillim ndoshta ishim skeptikë kur pranuam ofertën e klubit, por tani jemi plotësisht të bindur se kjo nuk ishte vetëm iniciativë dhe angazhim, por një punë që djersitëm shumë dhe realizuam objektivin. Tashmë pengu i vetëm mbetet fitimi i trofeut kundër Elbasanit, që jemi të bindur se do ta bëjmë realitet”, deklaroi mesfushori me origjinë nga Ballshi, i cili ka qenë një prej pikave të forta në formacionin e skuadrës së drejtuar nga Artan Mërgjyshi.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"