Kërkohet vazhdimësia në kampionat, “Konti Maks” para supersfidës me Napolin: Ta harrojnë 5-1 e sezonit të kaluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2023 | 9:50

Kërkohet vazhdimësia në kampionat, “Konti Maks” para supersfidës me Napolin: Ta harrojnë 5-1 e sezonit të kaluar

Kanë kaluar 5 ndeshje nga fitorja e fundit e Juventusit përballë Napolit në Serinë A, komponent se napolitanët ia kanë marrë dorën “zonjës së vjetër” në vitet e fundit. Konkretisht 7 prill të vitit 2021, ku Andrea Pirlo dhe Xhenaro Gatuzo “përplaseshin” në rolin e trajnerëve në pankinat e ekipeve përkatëse. Përgjatë ciklit aktual në urdhrat e Masimiliano Alegrit duket se historia ka marrë tjetër udhë.

Alegri

Bardhezinjtë kanë një arsye më shumë për të marrë tri pikët e radhës karshi Napolit, pavarësisht shkallës së vështirësisë, kreu, qoftë edhe për disa orë, pasi Juvja luan mbrëmjen e sotme, ndërsa liderët aktualë të Interit zbresin në fushë ditën e shtunë me Udinezen. Maks Alegri në konferencën për shtyp analizoi formën fizike të Dushan Vlahoviç, “kurthet” e ndryshme, hakmarrjen e disfatës së rëndë 5-1 e deri te menaxhimi i presionit.

RËNDËSIA- “Dueli direkt për vendet e para. Kanë mbetur edhe 5 ndeshje të tjera deri në përmbylljen e pushimeve të dimrit. E nisim me Napolin për të vijuar me Romën, çka do të thotë se janë ndeshje përcaktuese për të kuptuar se ku jemi, ndonëse kemi zhvilluar paraqitje dinjitoze pas 14 javësh. Ndjenja pozitive mbizotëron në grup. Sigurisht inkuadrimi përballë tifozërisë ka peshën e vet dhe ne do të përpiqemi të shfrytëzojmë në maksimum”, theksoi Alegri.

GJENDJA E VLAHOVIÇIT- “Dushani është mirë. Ata që i ekzekutojnë penalltitë kanë shansin edhe të humbasin, ndryshe nga ata që s’kanë përgjegjësi të tillë. Napoli ka ndryshuar, gjithsesi mbeten ekip i fortë. Parashikoj lojë të dyluftuar, ama ne duam të bëjmë hap përpara në objektivat sezonalë”.

“HAKMARRJA NDAJ MANITËS”- “Vitin e shkuar morëm tronditje të vërtetë me Napolin, 5-1, sikurse na mposhtën edhe në fushën tonë sfidën e kthimit. Statistikat mbeten fakt, ndonëse nuk ka asnjë domethënie në lidhje me situatat ku gjenden të dyja kampet. Qëllimi i Juventusit përkon me përmirësimin, i vetëdijshëm mbi forcën e rivalëve dhe mundësinë për t’i bërë ballë”, vijoi “timonieri” i nënkampionëve aktualë në kampionatin italian.

ÇËSHTJA “POGBA”- “I kemi shkruar mesazh Pogbasë dhe presim që situata të qartësohet. Vështirë të nxjerrim një përfundim, pasi gjithçka është e nxehtë në lidhje me rastin në fjalë”.

MENAXHIMI I PRESIONIT- “Ekipe si Juvja janë mësuar të jetojnë me presionin, kjo për faktin e pritshmërive. Pikërisht e bukura e punës, sikurse sfiduese njëkohësisht. Kampionati nuk përfundon nesër, prandaj do të tentojmë të shënojmë më tepër se 38 pikë nga viti i kaluar në fazën e parë. Kemi goxha punë për të bërë. E rëndësishme t’i marrim ndeshjet me radhë dhe t’i japim rëndësinë e duhur çdo dueli”, përfundoi Alegri.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"