“Kërkuan të më dënonin, më shpëtoi Resmja”, Kreshnik Agolli: Te Muri i Madh kinez janë edhe emrat tanë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2024 | 21:23

“Kërkuan të më dënonin, më shpëtoi Resmja”, Kreshnik Agolli: Te Muri i Madh kinez janë edhe emrat tanë

Kreshnik Agolli ishte pjesë e 17 Nëntorit (sot KF Tirana) në vitin 1974, ndërsa u grumbullua nga Kombëtarja U-18 për turneun që u zhvillua në Kinë.

MixCollage-06-Sep-2024-11-10-PM-8778

“Kërkuan të më dënonin, sepse fola anglisht me disa amerikanë. Më shpëtoi Refik Resmja dhe një zyrtar i ambasadës”, rrëfen Agolli 50 vite më pas për “Panorama Sport” lidhur me një ngjarje tronditëse për të.

Kreshnik, të flasim pak për udhëtimin në Kinë. Si e kujtoni?

Jemi nisur në fillim të gushtit. Patëm fatin të udhëtonim me avion të madh, Boing, me 150 persona që kishte sjellë ansamblin e Këngëve e Valleve. Rrugë shumë e gjatë, vetëm një tranzit, në Teheran. Bashkë me ne ishin edhe volejbollistët meshkuj e femra të Partizanit, të veshur ushtarakë. Kujtoj Dash Fagun, Borovën, Tomorri, Duravakun, Macajn, si dhe trajnerin Andon Kona. Edhe ata për një turne miqësor ishin. Pastaj brenda Kinës, me avionë pa kondicioner, futej ajri. Dikush nga frika thoshte se po digjet avioni.

Si komunikonit atje?

Unë dhe Starova flisnim anglisht. Djemtë tentonim të komunikonim pak italisht, sepse kinezçe nuk dinim asnjë fjalë, shprehje, vetëm diçka, si tunze-shok, apo Xiexie (faleminderit) dhe kaq. Kujtoj se në hotel numri i dhomës korrespondonte me atë të telefonit.

Vizituat edhe Murin e Madh kinez…

Te Muri i Madh bëmë një vizitë dhe kemi takuar shumë sportistë, njerëz, të njohur shqiptarë, emrat e të cilëve ishin shkruar aty. Ishte bërë zakon. Edhe ne vendosëm emrat tanë. Pas nesh vijonin të tjerët. Nuk e di nga ajo kohë ka mbetur ende apo jo ndonjë emër.

Ka pasur pretendime dhe debate, për çfarë bëhej fjalë?

Të pa mësuar, jo përshtatje me kushtet, vapën, kërkonim të pininm vazhdimisht ujë dhe lëngje. Kinezët na sillnin lëngje me arka, por trajneri Refik Resmja nuk na lejonte se kishte frikë, ndonëse ishin të kontrolluara dhe shumë të ftohta. Ne të etur edhe pas pijeve të huaja i shijonim fshehurazi. “Më mirë një gllënkë kafe, shoqëroje me ujë”, na thoshte trajneri Jançe. Patëm probleme, edhe të sëmurë, në shumë ndeshje, një pjesë e lojtarëve nuk u aktivizua. Mjek kishim një kinez.

Jeni vizitorë në mjaft vende historike, çfarë mbani mend?

Na çonin për të parë ekspozita, muze, ku qëndronim me orë në këmbë. Ishin vende historike të famshme, ku ishte xhiruar edhe një film i Hollivudit, si “Perandori i fundit”, dedikuar dinastisë kineze. Edhe kjo thoshte Refik Resmja është pjesë e strategjisë për të na lodhur për ndeshje, por këtu nuk mund të ndërhynte.

Vijmë te një çast pak delikat për ju. Na tregoni pak?

Në Canshan, i ndodhur rastësisht pranë disa amerikanëve, më pyetën për diçka. Për t’i sqaruar unë iu përgjigja në anglisht. U bë problem i madh nga ata të sigurimit. “Pse i flet t’i amerikanëve”. Më akuzuan, por ishte trajneri Resmja që reagoi kështu: “Çfarë keni, nuk ju vjen turp, në vend që ta felenderoni, t’i thoni se na nderove që njeh gjuhë të huaja, ju doni ta dënoni”. M’u vërsulen keq, edhe nga fakti se unë kam lindur në Nju Jork. Pati një interpretim negativ prej tyre. Ishte një punonjës i ambasadës, i cili ndërhyri dhe çështja u mbyll.

Nga Pekini në Moskë dhe Budapest. Si ishin ato udhëtime?

Në kthim, në Moskë, Lul Konçi harroi për një çast në aeroport arkën me filxhanat e porcelanit. U bë problem! Dikush i tha që mund t’ia kishin vjedhur. “Nuk prek njeri këtu, nuk jemi aty ku mendon ti”, iu përgjigj Konçi, në momentin që ja sollën. Pastaj në Budapest, qëndruam dy netë. Hera e parë që binim në kontakt me nje vend të Europës Lindore për të gjithë ne.

Të nesërmen dolëm në qytet dhe rrugës pamë të rinj që putheshin. Të çuditur i drejtohemi trajnerit Jançe: “Profesor, çfarë bëjnë këta?”. Ai e njihte mirë Budapestin se aty ishte diplomuar. “Shejtanë, mos i shihni. Femrave dhe tramvajit mos i shkoni nga pas, se ju vijnë vetë”, – na thoshte. Nga ai grup futbollistësh, asnjë nuk u rikthye më në Kinë.

UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

Shqipëria U-18 dhe historitë e pathëna të turneut në Kinë/ 9 ndeshje të zhvilluara dhe Gëzdari si aktor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"