Këshilltari nuk është dakord me buxhetin e miratuar. Sina: Ja pse futbolli i Lushnjës nuk i meriton 400 milionë lekë
Miratohet fondi për Lushnjën e 2025-ës. Është zhvilluar dje mbledhja e Këshillit Bashkiak të Lushnjës, që ishte dhe e fundit për 2024-ën. Së bashku me buxhetin e vitit 2025 kaloi dhe fondi për futbollin. Këshilltarët miratuan 40 milionë lekë(të rinj) si subvencionim i bashkisë për klubin e futbollit.
Në një prononcim për “Panorama Sport” këshilltari Ervin Sina u shpreh: “Së pari, dua të sqaroj pozicionin tim në lidhje me buxhetin e klubit të futbollit se përse do ta votojnë me rezerva buxhetin për klubin e futbollit. Për disa vite rresht Bashkia Lushnjë subvencionon klubin e futbollit me shumën 40 milionë lekë (të rinj). Në të kaluarën kam qenë gjithmonë suportues në lidhje me mbështetjen që i duhet dhënë futbollit për shkak të sensibilitetit të lartë që ka në Lushnjë. Mirëpo, në rast se mbështetja financiare ka qenë domethënëse, nuk kanë qenë të tilla rezultatet. U bë e lodhshme tashmë të dëgjojmë çdo fundvit dhe çdo fund sezoni justifikime të natyrave të ndryshme në lidhje me rezultatet sportive të skuadrës.
E meqenëse kjo është një situatë që përsëritet dhe përsëritet dhe menaxhimi sportiv dhe administrativ nuk është i duhuri, për të dytin vit radhazi në mbledhjen dedikuar buxhetit, unë përsëris propozimin për reduktimin me 10 milionë lekë të rinj të buxhetit të klubit të futbollit. Nga 40 milion lekë të rinj në 30 milionë lekë të rinj. Këto para të kursyera, unë gjykoj që duhet të shkojnë për ato sporte që kanë rezultate. Sot që po flasim, në Lushnjë rezultat ka ekipi i volejbollit të vajzave, që duhet financuar më shumë për të pasur arritje edhe më të larta.
Pse jo edhe peshëngritësja e talentuar Gea Dokollari. Më vjen shumë keq, sepse shoh vërtet shumë përpjekje e dashamirësi nga presidentja Eriselda Sefa, por realiteti nuk është premtues. E vetmja gjë që uroj është që procedurat e ankandit për aksionet të bëhen sa më shpejt, sikurse deklaroi zonja Sefa. Shpresoj që 2025 të jete një faqe e re për futbollin lushnjar. Kjo është më e pakta që meritojnë tifozët e mrekullueshëm të këtij qyteti”, deklaroi për gazetën anëtari Sina.
ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"