Kielini rrëfen prapaskenën e bujshme të merkatos: Jo Arsenalit, kur isha… “budalla”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2024 | 21:34

Kielini rrëfen prapaskenën e bujshme të merkatos: Jo Arsenalit, kur isha… “budalla”

Xhorxho Kielinin e kishim parë tashmë të veshur me fanellën e Mançester Junajtid disa javë më parë, në një darkë mes legjendave, e cila më pas u shndërrua në një intervistë për kanalin e YouTube të The Overlap në shoqërinë e Ian Rajt, Geri Nevil, Xhemi Karager dhe Roi Kin. Uniforma e veshur nga legjenda e Juventusit mbante emrin e tij dhe ai shpjegoi pse:

kielini

“Më duhet t’ju tregoj këtë histori. Unë isha në një event me fanella klasike të futbollit dhe më pyetën: “Ok, zgjidh një”. Unë shikoj të parën. Nuk ishte Ronaldo, nuk ishte Messi. Unë thashë: ‘Uau, dua atë të Mançesterit’. Në atë moment, ish-mesfushori irlandez u ngrit për t’i dhënë një autograf. Ndërkohë, në tryezën e restorantit u treguan shumë anekdota dhe histori të bujshme merkatoje.

ARSENALI- “Në moshën 16-vjeçare isha mjaft ‘budalla’ sa të refuzoja një ofertë nga Arsenali. Isha në ekipin e të rinjve të Livornos që ishin në Serinë C. Topçinjtë kishin paraqitur një ofertë të shkëlqyer: ata ishin të sigurt se do ta pranoja. Megjithatë, nuk e pranova. Nuk doja të largohesha nga skuadra e qytetit tim pa fitua ata para nga shitja. Kështu që i thashë agjentit tim:

‘Unë do të nënshkruaj një kontratë të re dhe nëse gjeni një marrëveshje me Arsenalin, unë do të shkoj. Por jo kështu”, tha Kielini. Më pas legjenda italiane vazhdoi: “Në fund klubi kërkoi shumë para dhe asgjë nuk u bë”. Më pas me qartësi ekstreme ai gjithashtu shpjegoi se nuk kishte bërë zgjedhjen e duhur në atë fazë të karrierës së tij: “Nëse do të kisha një djalë në atë situatë, do t’i thosha menjëherë të pranonte dhe të shkonte pa u menduar. Isha në Serinë C, jo te Juventusi apo Milani. Në fund gjithçka shkoi mirë, por ishte një vendim i keq në atë kohë.”

SERIA B- Rënia në Serinë B nuk u përjetua si një makth nga të gjithë dhe Kielini foli për këtë me një sinqeritet të jashtëzakonshëm: “Në vitin 2006, kur Juve shkoi në Serinë B, unë isha 22 vjeç. Ai sezon nuk ishte aq i keq. Në vitin tim të parë bëra 23 paraqitje, në vitin e dytë ishim në Serinë B, por do të luaja titullar dhe kjo ishte diçka e mirë me mua. Nuk isha në situatën e kampionëve si Bufon, Del Piero, Trezege. Njerëz që kishin fituar Kupën e Botës dhe më pas e gjetën veten në Serinë B.

Shumica e lojtarëve janë larguar dhe unë e kuptoj këtë gjë. Në fund mbetën vetëm disa, përfshirë Bufonin dhe historia e tij është qesharake. Drejtori sportiv i tha: ‘Ka një sërë skuadrash që ofrojnë miliona, ku dëshiron të shkosh?’. Dhe ai iu përgjigj: ‘Nuk mund të qëndroj?’. Drejtori sportiv u përgjigj: ‘Vërtet? Do të ishte perfekte për ne.’ Ka qenë një vit argëtues për mua. Shkuam të luanim në qytetet e vogla të Serisë B. Filluam kampionatin me 9 pikë minus për shkak të penalitetit dhe në Krishtlindje ne ishim të parët. Çdo të diel ishte festë, pastaj kishim dy ditë pushim çdo javë. Dhe në gjithë këtë situatë isha vetëm 22 vjeç”, tha ndër të tjera Kielini.

Përgatiti: OREST FLOKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"