“Kjo skuadër me emër duhet të shkojë në vendin që meriton”, Meksi: Sezon ndryshe, Dinamo buzëqesh në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2024 | 10:06

“Kjo skuadër me emër duhet të shkojë në vendin që meriton”, Meksi: Sezon ndryshe, Dinamo buzëqesh në fund

Me fitoren ndaj Skënderbeut dhe ngjitjen në vend të 5-të Dinamo ka dhënë një sinjal të qartë se është një skuadër ndryshe këtë sezon.MeksiBlutë kanë bërë një nga merkatot më të mira dhe kanë rikthyer një trajner fitues si Ilir Daja, kështu që pritet që minimalisht të jenë mes 4 më të mirëve në fundin e kampionatit të rregullt. Gjithçka do ta tregojë fusha, por kryeqytetasit nuk kanë asgjë mangët që t’u mohojë objektivin për të shkuar në Europë. Përkundrazi, kanë bërë një riorganizim vërtet serioz për të rikthyer Dinamon e dikurshme në çdo aspekt. Jorgo Meksi, titullari i krahut të djathtë të mbrojtjes, në një prononcim për “Panorama Sport” thekson se ky sezon do të jetë ndryshe dhe se Dinamo do të shkojë në vendin që meriton, pasi ka ndërtuar një skuadër kompetitive.

“Sigurisht që rezultatet e fundit na kanë ngrohur. Kemi merituar më shumë pikë në këto pesë javë dhe këtu kam parasysh sidomos ndeshjen me Bylisin në Ballsh. Por e rëndësishme është që po rritemi dhe kam shumë besim se do të shkojmë lart në renditje. Mendoj se do të jetë një sezon ndryshe për Dinamon, sepse jo pak gjëra janë ndryshe, organizimi i klubit është shumë i mirë, po ashtu edhe investimi nga presidenti Bardhi. E kam thënë që kur erdha te Dinamo se kjo skuadër e madhe me traditë duhet të shkojë në vendin që meriton në futbollin shqiptar. Me skuadrën që kemi besoj se do të jemi në “Final 4″. Ndoshta është herët për të folur për këtë pjesë, por kjo Dinamo jep besim dhe mendimi im është se në fund do të buzëqeshim”, ka thënë fillimisht Meksi.

FAKTORI DAJA – Mbrojtësi 29-vjeçar thekson më tej se një arsye e fortë që e bën optimist për një sezon të suksesshëm është trajneri Ilir Daja: “Me ardhjen e profesor Dajës çdo gjë ka ndryshuar në stërvitje dhe në ndeshje. Përgatitemi ndryshe, ka një tjetër ritëm. Ai është një trajner fitues dhe besoj se do ta çojë Dinamon në maja. Ne lojtarët që kemi punuar me të e dimë shumë mirë këtë fakt dhe këtë mesazh ua përcjellim edhe lojtarëve të tjerëve. U themi që ky është një shans i madh për ta dhe duhet ta shfrytëzojnë maksimalisht që bëjnë hapa përpara në karrierën e tyre”.

ÇIFTI ME ZABËRGJËN – Linja e djathtë e skuadrës blu ka funksionuar më mirë në ndeshjet e fundit, pasi Meksi dhe Zabërgja kanë një komunikim mjaft të mirë mes tyre. “Po, me Zabërgjën merremi vesh mirë dhe si gjithë të tjerët, mundohemi ta ndihmojnë sa më shumë skuadrën. Ndoshta ka ndikuar puna që kemi bërë gjatë fazës përgatitore në Itali, e njohim më mirë lojën e njëritjetrit dhe çdo gjë ka funksionuar mirë. Por nuk jemi vetëm ne, është e gjithë skuadra që po paraqitet mirë dhe të gjithë kanë merita”, ka shtuar Meksi.

RIVALITETI – Për kompletimin e skuadrës me afrimet në fundin e merkatos, lojtari i lindur në Greqi pohon se është një tjetër faktor që do të ketë ndikim pozitiv. “Ka rivalitet të madh, skuadra është e kompletuar, çdo rol është i dubluar dhe mendoj se kjo situatë do t’i bëjë mirë çdo futbollisti dhe rrjedhimisht edhe skuadrës. Kur ka konkurrencë, secili kërkon të japë më të mirën nga vetja. E them me bindje se Dinamo është pretendente për vendet e para me grupin e lojtarëve që ka”, shprehet 29-vjeçari.

TEUTA – Titullari blu dha mendimin e tij edhe për ndeshjen e radhës me Teutën: “Asnjë ndeshje nuk është e lehtë, ne e dimë shumë mirë se çfarë ndodh në kampionat. Në çdo ndeshje duhet të jesh i përqendruar 100 dhe të japësh gjithçka në fushë për të marrë atë që do. Dinamo do të kërkojë maksimumin në Durrës”, ka përfunduar Jorgo Meksi.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"