Klop te Red Bulli: Nuk doja të shkelja gishtat e askujt
Jyrgen Klop ka mbrojtur vendimin e tij për të kryesuar grupin e klubeve të Red Bullit, duke thënë se ai nuk donte të shkelte në gishtat e askujt. Ish-trajneri i Liverpulit firmosi një kontratë afatgjatë dhe do të nisë punën e tij të re më 1 janar të vitit 2025, ku do të jetë përgjegjës në nivelin e menaxhimit strategjik për rrjetin ndërkombëtar të klubeve të Red Bullit. Ato përfshijnë RB Lajpcigun, Red Bull Salcburgun dhe Nju Jork Red Bullin.
“Nuk doja të shkelja në gishtat e askujt, padyshim që jo. Dhe personalisht i dua të gjitha ish-klubet e mia”, tha Klop në një intervistë të lëshuar të mërkurën në një program të organizuar nga ish-mesfushori i Realit të Madridit dhe Gjermanisë, Toni Kros. Trajneri gjerman sugjeroi se çdo vendim që ai merr për të trajnuar një klub tjetër do të kishte zhgënjyer gjithashtu disa tifozë. “Unë me të vërtetë nuk e di se çfarë saktësisht mund të kisha bërë që të gjithë të ishin të lumtur”, shtoi ai.
Red Bulli, dhe veçanërisht skuadra e tij e Lajpcigut, janë shumë të pakënaqur nga shumë tifozë gjermanë të futbollit, të cilët e shohin kompaninë e pijeve si një prani të padëshiruar të korporatës që përpiqet ta blejë suksesin. Tifozët e ishklubeve të Klopit, si Borusia e Dortmundit, e kanë kritikuar lëvizjen dhe tifozët e Maincit mbajtën pankarta këtë muaj, duke shprehur zhgënjimin e tyre dhe duke pyetur nëse ai ishte “i çmendur”. Klop kaloi 18 vjet në Mainc si lojtar dhe trajner, përpara se t’i bashkohej Dortmundit në vitin 2008, ku vazhdoi të drejtonte klubin drejt dy titujve të Bundesligës dhe finales së Ligës së Kampioneve.
Klop tha se ai kurrë nuk e kishte parë aq kritikisht përfshirjen e Red Bullit në futboll dhe sugjeroi se ai luajti një rol të rëndësishëm në kthimin e futbollit të klubeve të nivelit të lartë në ish-Gjermaninë Lindore me projektin e Lajpcigut. Ai më parë kishte thënë se kishte planifikuar të bënte një pushim të gjatë nga futbolli pas largimit nga Liverpuli, ku ai drejtoi ndeshjen e tij të fundit në maj, pas nëntë vitesh me klubin. “Unë jam 57 vjeç, kështu që mund të punoj edhe për disa vite të tjera, por nuk e shoh veten në anën tjetër [si trajner] për momentin”, tha ai.
“Por ishte gjithmonë e qartë se nuk do të bëja asgjë. Dhe më pas kjo histori me Red Bullin erdhi në skenë dhe për mua është e jashtëzakonshme”. Klop tha se ai e shihte rolin e tij te Red Bulli kryesisht si një “këshilltar”, duke punuar së bashku me trajnerët në klubet e mbështetur nga gjigandi i pijeve energjike. “Gjithmonë kam pasur ndjenjën se trajneri është shumë, shumë shpesh njeriu më i vetmuar në klub”, nënvizoi ai.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"