Klubi po kërkon për afrime cilësore në merkato. Mbrojtësi Shehi: Edhe 2025-sa do të jetë e Vorës
Vora arriti që pas 17 javëve të para të shpallet kampione dimri, por në klub prisnin më shumë prej lojtarëve që kishin në dispozicion, në mënyrë që rezultatet të mos ishin kaq të diskutueshme, sidomos ndaj rivalëve.
Drejtuesit kërkojnë përforcimin e skuadrës me lojtarë cilësorë në janar, por në anën tjetër u është lënë e hapur rruga për lojtarët që do të kenë oferta në merkato. Të gjitha këto, klubi vorak kërkon t’i bëjë para Vitit të Ri, pasi kur të nisin seancat stërvitore më 3 janar, grupi të jetë sa më i kompletuar. Edhe pse kanë përfunduar të gjitha ndeshjet e pjesës së parë të kampionatit, lojtarët po vijojnë stërvitjet rregullisht. Përgatitjet do të zgjasin deri në ditën e fundit të vitit. Duke qenë se pjesa e dytë e kampionatit do të nisi më 11 janar 2025, futbollistëve u janë lënë vetëm 5 ditë pushim. Ndërkohë që lojtarët po stërviten rregullisht, drejtuesit janë hedhur në merkatos për të afruar lojtarë edhe më cilësorë, por për momentin emrat nuk bëhen të ditur, pasi janë në fazë bisedimesh.
Kuptohet që kjo “gjueti” do të nisë me lojtarë nga Superiorja ose dhe të huaj. Një nga lëvizjet mund të jetë një shoqërues për golashënuesin më të mirë të kampionatit, Manfredas Ruzgis, në mënyrë që ai të shënojë edhe më tepër gola. Po kështu mund të ketë lëvizje edhe në portë. Gjithsesi, të gjitha këto do të bëhen me dije nga vetë klubi Vora në ditët në vijim. Një nga lojtarët, që kontribuoj shumë te Vora në pjesën e parë ishte edhe Dejan Shehi. Për “Panorama Sport”, mbrojtësi u shpreh: “Mbyllëm një vit me objektiva të realizuara. Pjesën e parë të kampionatit e përfunduam si kampionë dimri. Vora nuk do të ndalet me kaq. Ne do të bëjmë historinë e këtij klubi dhe Vorën do ta shihni përkrah, skuadrave elitare, pjesë e Superiores. Edhe 2025-sa do të flasë për Vorën”.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"