Kombëtarja U-19/ Dy ndeshjet e fundit me Belgjikën e Spanjën, flet trajneri Cungu: Jemi grup që premton vazhdimësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2022 | 16:07

Kombëtarja U-19/ Dy ndeshjet e fundit me Belgjikën e Spanjën, flet trajneri Cungu: Jemi grup që premton vazhdimësi

Kombëtarja U-19 do të luajë dy ndeshjet e fundit të fushatës kualifikuese për Kampionatin Europian të 2023, që do të luajë me Belgjikën në 21 shtator dhe me Spanjën në 24 shtator. Të dyja këto ndeshje do të luhen në Belgjikë dhe trajneri i skuadrës, Armando Cungu, është shprehur se Shqipëria është gati, në një prononcim për “fshf.org”.

Armando CUngu

“Gjendja e grupit është optimale me ndonjë përjashtim të vogël të ndonjë lojtari ka shqetësime fizike, por do të jemi të kompletuar për ndeshjen e parë të eliminatoreve nesër. I referohem edhe përgatitjeve që kemi zhvilluar në Durrës , të gjithë djemtë kanë punuar mirë dhe më kanë lënë përshtypje të mira në vija të përgjithshme sa i përket pritshmërive. Është grup i ri i vitlindjes 2005 dhe 2006, janë lojtarë që premtojnë edhe për vazhdimësinë dhe grupi është solid dhe ka dëshirë të madhe për të luajtur futboll dhe arritur rezultate. Kjo është shumë e rëndësishme për mua si trajner.

Ne edhe sot kemi pasur një analizë video, ku kemi studiuar në detaje kundërshtarin. Patjetër, është e tepërt të flasim për forcën e Belgjikës, por çdo ekip sado i fortë të jetë ka edhe dobësitë e veta. Ne kemi për detyrë për tentojmë të shfrytëzojmë pikat e dobëta të kundërshtarit, sikurse duhet të jemi shumë të kujdesshëm për forcën e Belgjikës dhe Spanjës, dy skuadra të niveleve më të lart botërore në të gjitha moshat. Në fund të fundit, është edhe një kënaqësi për djemtë që të luajnë futboll ndaj këtyre rivalëve, është një mundësi mjaft e mirë edhe për karrierën e tyre që të tregojnë vlerat dhe kjo eksperiencë do t’i ndihmojë djemtë të rriten dhe të bëhen më të fortë. Nëse duam të rritemi duhet të përballemi dhe të testojmë vlerat me ekipet më të forta në qarkullim dhe këtë duhet të shfrytëzojmë, duke shfaqur entuziazëm në lojën tonë.

Jemi një grup i ri që premton edhe për vazhdimësinë, natyrshëm që kërkojmë të përgatisim lojtarë për të furnizuar ekipet e moshave dhe Kombëtaren A që është objektivi kryesor. Por krahas këtij objektivi ne njëkohësisht synojmë të marrim edhe rezultate sa më të mira në fushën e lojës, dhe në këto dy ndeshje, pavarësisht se kë kemi përballë, nuk do të heqim dorë nga kërkesat për të marrë rezultate pozitive. Dhe mbi të gjithë do të më pëlqente që të shikoja në fushën e lojës një ekip solid, me besim dhe pa ndjenja inferioriteti, duke prodhuar futboll të bukur. Nuk hyjmë në fushën e lojës me frikë, por duam t’i tregojmë të gjithëve se dimë të luajmë futboll dhe që kemi shumë vlera, sepse kjo është shumë e rëndësishme për mua si trajner, u shpreh Cungu.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"