Basketbolli në alarm, sportistët cilësorë duhet të kenë motive të forta për të vazhduar…
Nga PETRIT STEFA
Basketbolli shqiptar ndodhet në një krizë të thellë. Këtë e thotë tani edhe spektatori më i thjeshtë dhe jo më specialistët. Këtë nuk e thotë vetëm ajo pjesë e bashkësisë së basketbollit që po luajnë me lojtarë të huaj, të cilët vijnë dhe ikin në Shqipëri, duke marrë edhe ato pak para që klubet tona sportive ia zhvasin bashkive me shumë mundime, por edhe me “miq e shokë” partiakë në këshillat bashkiakë. Sigurisht edhe të sponsorëve (formalë dhe informalë).
Ndërsa ata që e kuptojnë, kanë kohë që heshtin, sepse janë lodhur së foluri. Sepse nuk i dëgjoi dhe nuk i dëgjon njeri as në federatë, por edhe as në ministri dhe qeveri. Pa dyshim, që edhe FSHB-së kjo i pëlqen, sepse duke u bërë disa ndeshje midis pretenduesve për titull, krijohet përshtypja se basketbolli ynë po lulëzon. Me këtë nuk dua të them se është ajo shkaktare e këtij rrënimi, edhe pse ajo ka qenë gjatë 15-20 vjetëve të fundit, e dobët, pa krijimtari, energji ose edhe pa vendime të përshtatshme, pa ndryshime në rregullore të aktivizimeve etj.
Rrënimi ka shumë “personazhe” përgjegjës. Por FSHB-ja ka pjesën e vetë të përgjegjësisë, sepse në fund të fundit, ky rrënim ka marrë dhenë në këto 20 vitet e fundit, kur “dhjami” i kohës së diktaturës u shkri plotësisht. Ah, jo! Në shenjë nderimi dhe respekti më pëlqen të kujtoj “musketierët e fundit”, Hysenagollin për meshkuj dhe Palkon për femra. Por, siç ndodh kudo, faturën duhet ta paguajnë ata që kanë drejtuar, domethënë Ponari, Llazani dhe enturazhi i tyre që “udhëtoi” bashkë me ata në kryesitë e zgjedhura me dorë të qëllimshme që prodhonte dhe prodhon ato që duhen.
Ndërsa kur flasim për basketbollin e femrave, që ka arsye të forta, pse mua më dhëmb më shumë, situata është alarmante. Mjafton që të kujtojmë “play-off”-in e tyre, ku dy skuadrat finaliste, secila me plot tre-katër lojtare të huaja, zhvillojnë ndeshje me statistika loje kaq të dobëta, sa nuk do të mund të quhen të Kategorisë së Parë në asnjë vend të Europës. Për fat të keq, në FSHB ngatërrojnë luftën sportive me nivelin sportiv, edhe pse nuk duhet mohuar se tek Tirana, të paktën sulmi, ka më shumë kulturë taktike.
Por ajo që dua të them është se, nëse nuk do të kenë lojtaret e huaja në skuadër, secila prej tyre, madje edhe Partizani, nuk fiton asnjëherë me Vllazninë e B.Gjeçajt ose me Studentin e I.Mitkut. Këto dy ekipe janë pa të huaja, por me vajza të thjeshta dhe të dedikuara basketbollit. Janë me dy trajnerë për t’u nderuar dhe respektuar që luajnë me vajza shqiptare dhe nuk “turpërohen”, se nuk janë në vende nderi në kampionatin shqiptar.
Por le të kthehemi te tema bazë, e cila është situata alarmante në basketbollin e femrave. Them alarmante, sepse të gjithë e kuptojnë që në Vlorë, pa basketbolliste të huaja, Flamurtari nuk ka skuadër fare për Kategorinë e Parë. Në Korçë nuk ekziston fare basketbolli femra (një ndër lavditë e qytetit), në Fier dhe Gjirokastër (dikur të dyja kampione) është shuar, në Elbasan e mbajti me dhëmbë kaq kohë Xhyra, kurse tani po fiket ngadalë në heshtje. Në Durrës po përpiqen ta rilindin pas 30-35 vjetësh heshtje, teksa kujtonin N.Hercekun dhe A.Begovin që kthenin kokë ulur në shtëpi 17 Nëntorin e V.Shakës dhe Flamurtarin e “disa gjeneralëve” (siç e quante N.Herceku atë skuadër). Janë konstatime që të dhembin patjetër për ata që e duan basketbollin e femrave në Shqipëri. Por të konstatosh këtë gjendje nuk është ndonjë zotësi. Zotësi është të fillojnë përpjekjet që megjithatë përsëri do të jenë të vonuara.
Njëra prej “ngërçeve” lidhet me përgjigjen që i duhet dhënë pyetjes: Përse duhet të vazhdojë një vajzë e talentuar basketbollin pas moshës 18 vjeç, edhe pse mund të ketë 10 vite që ushtrohet në këtë sport?
Sepse e vërteta është që mjaft vajza të talentuara e ndërpresin sportin para se të fillojnë vitet e fundit të shkollës së mesme. Unë mund të dëshmoj me përgjegjësi që katër-pesë vajza të talentuara vlonjate, që sot mund të ishin titullare të Flamurtarit, e ndërprenë basketbollin rreth moshës 16-17 vjeç. Pra, para se t’i përgjigjemi pyetjes së mësipërme, është momenti kur ajo do të fillojë të ndërtojë themelet e jetës së saj të ardhshme (universiteti, puna, profesioni etj).
Nuk janë pak 2-3 orë në ditë që harxhohen për sportin. Por, nëse ajo e di, se përsëri nga sporti do të ketë disa përfitime jo të vogla, bie fjala shpenzimet e studimit etj. Ajo përkundrazi, do ta bëjë “natën ditë” dhe nuk do ta ndërpresë sportin. Por nuk duhet të harrojmë se ajo veç sportit ka pasion edhe një degë të universitetit, të cilën e arrin në saj të mesatares së notave në shkollën e mesme… Bashkohet kështu pasioni me nevojën. E thënë ndryshe kjo do të thotë se sportistët tanë, ashtu si në shumë vende, duhet të kenë disa përfitime në përfundim të shkollës së mesme, natyrisht nëse janë sportistë të nivelit të lartë kombëtar.
Po fjala “i lartë” përkufizohet ndryshe në vende të ndryshme. Pra, bëhet fjalë për disa përfitime të cilat u lehtësojnë jo vetëm vajtjen në universitet, por edhe zgjedhjen e degës që ata duan, duke përjashtuar degët me konkurs, të cilat ata e përfitojnë “me krahët e veta”. Kujtoni studentët e ekselencës. Shteti i ndihmon ekonomikisht dhe bën shumë mirë. Po ashtu duhen gjetur mënyrat se si të ndihmohen sportistët elitarë për të shkuar dhe zgjedhur degët universitare. Kështu ndodh në shumë shtete, për shembull në Greqi, ku sportistëve cilësorë, në varësi të arritjeve, u rritet mesatarja e notës së shkollës së mesme. Natyrisht janë përcaktuar për sporte të ndryshme, individuale dhe kolektive.
Shkurt, sportistët duhet të kenë një motiv më shumë tërheqës, përfitues dhe ekspansiv. Sepse nuk është pak të shkosh në degën që dëshiron në universitet, të cilën nuk e arrin me mesataren që ka. Një tjetër problem është për sportistët e Vlorës, Korçës, Shkodrës, Fierit, që janë larg Tiranës, domethënë nuk bëjnë dot vajtje-ardhje, të cilët duan degë të universitetit të Tiranës, por të aktivizohen me klubet e tyre ku janë më të preferuar. Deri tani, ndonjë zgjidhje e gjetur (aktivizim pa stërvitje apo stërvitje individuale) është thjesht një abuzim dhe gënjeshtër. Madje, pa vlerë fare.
Edhe për këta janë gjetur zgjidhje në Europë me anë të programeve individuale për dhënien e provimeve dhe për frekuentimin etj. Pra, çështja shtrohet kaq thjeshtë: Çfarë duhet të bëjmë që sportistët tanë të moshës 16-18 vjeç, të kenë një motiv të fuqishëm, që influencon në jetën e tyre, për të vazhduar me intensitetin e duhur sportin e zgjedhur, pa braktisur studimet e larta të lakmuara ose pa marrë arratinë drejt Europës “për një jetë më të mirë”.
Ose çfarë duhet të bëjmë që sportistët që nuk dëshirojnë të shkojnë në universitet, të mos ta braktisin sportin ku janë ushtruar ndoshta 10-12 vjet? Pagesa nga skuadra? Ato përbëjnë motiv shumë të dobët, sepse Europa “hap fushën magnetike” të eldoradove të rremë. Ndoshta u mbetet “qeverive” vendore të mendojnë për të ardhmen e tyre, kur ata e kërkojnë këtë “ndihmë” para ose pas mbarimit të studimeve të larta.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"