Konkurrenca me Ramadanin dhe Kombëtarja, “zbërthehet” talenti Medon Berisha
Medon Berisha ka marrë vëmendjen në qytetin e Leçes. Me ardhjen e trajnerit të ri, mesfushori ka luajtur titullar, ndërkohë mbrëmjen e djeshme ka qenë i ftuar në emisionin “piazza giallorosa”.
Duke folur për momentin më të bukur te Leçe, Berisha veçon fitimin e titullit me të rinjtë, përpara debutimit në Serinë A kundër Interit: “Deri tani, padyshim që do të veçoja fitimin e titullit me të rinjtë”, thotë ai.
IDHULLI- Ndërkohë i pyetur pse ka zgjedhur numrin 5 në fanellë, mesfushori thotë: “Kam zgjedhur numrin 5 sepse e mbante Zinedin Zidane dhe ai më pëlqente si lojtar, edhe pse kohët e fundit kam ndjekur më shumë Luka Modriç dhe jam frymëzuar nga ai”.
KONKURRENCA ME RAMADANIN- Në ndeshjet e fundit trajneri Xhampaolo ka preferuar titullar Medon Berishën përpara Ylber Ramadanit i cili është ulur në stol. I pyetur në lidhje me konkurrencën me shqiptarin tjetër, ai thotë: “Konkurrenca nuk është vetëm me Ramadanin, por me të gjithë. Është normale që çdo ekip të ketë konkurrencë, duhet të japësh gjithçka në stërvitje për të luajtur në ndeshje”, shpjegon Berisha.
KOMBËTARJA- Në bisedë e sipër gjatë emisionit ku Berisha ishte i ftuar, një pyetje në lidhje me Kombëtaren shqiptare ishte e tillë: Në vendin e kujt do të luash në Kombëtare, të Asllanit apo Ramadanit? Duke qeshur Berisha shprehet: “Nuk e di, të shohim, unë dua të luaj, nuk dua të vjedh gjë (qesh)”.
KOMO- Berisha dha edhe një koment për ndeshjen e radhës me Komon, ku pritet të jetë titullar: “Kam ndjesi të mirë. Kemi dy ditë pushim për të kaluar pak kohë me familjen dhe për të marrë pak energji pozitive. Kur të kthehemi në stërvitje duhet të japim gjithçka. Do të shkojmë në Komo për të bërë luftën tonë, sepse është një rival direkt. Kam pritshmëri duke parë paraqitjen që bëmë me Lacion, mund të shkojmë aty dhe t’i mposhtim”.
ROLI- “Me trajnerin Baroni kam luajtur si mesfushor qëndror, numër 6, edhe me D’Aversën. Ndërkohë Xhampaolo na ka dhënë shumë besim. Na kishte munguar ky aspekt. Tani luajmë më shumë me topin dhe kjo shikohet edhe në fushë”, përfundon 21-vjeçari.
GOLI- “Normalisht që e pres, por dua vetëm që të fitojmë, nuk ka rëndësi kush e shënon golin. Mjafton të marrim 3 pikët”, përfundon Medon Berisha.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"