Kopmainers: Doja vetëm Juventusin, këtu synojmë titullin kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2024 | 12:34

Kopmainers: Doja vetëm Juventusin, këtu synojmë titullin kampion

Teun Kopmainers është prezantuar ditën e djeshme përpara mediave ku ka treguar ditët e para me aventurën e Juventusit. Holandezi ishte dëshira dhe ëndrra e madhe e trajnerit Mota në këtë merkato, ku Xhuntoli bëri gjithçka për ta transferuar.

kopmainers

TITULLI- “Juventusi në historinë e tij ka fituar shumë trofe dhe sigurisht që është objektivi ynë. Ne duhet t’i marrim ndeshjet një nga një sepse kanë ardhur shumë lojtarë të rinj dhe kemi nevojë për pak kohë që të njihemi. Duhet të mendojmë vetëm për Empolin, pastaj për PSVnë dhe Napolin”.

IDHUJT- “Zinedin Zidan ishte një nga ata që admiroja te Juventusi. Ai ka qenë një burim frymëzimi për shumë futbollistë. Edhe Pirlo apo Markizio më pëlqenin shumë. Te Juventusi kanë kaluar shumë lojtarë të mëdhenj, por citova vetëm disa prej tyre”.

FORMA- “Ndihem shumë mirë. Muaji i fundit ka qenë i vështirë në aspektin e stërvitjeve. Por punova shumë intensivisht dhe jam i lumtur që kam luajtur në ndeshjen e fundit. Jam gati që të luaj si titullar”.

MOTA- “Kam folur me misterin dhe më ka pritur shumë mirë. Raporti me të është i shkëlqyer. Kam kuptuar që është pozitiv me të gjithë lojtarët, edhe pse shumë kërkues. Ka shumë uri këtu te Juventusi dhe kjo është ajo që kërkoja”.

SYNIMET- “Objektivat e mi personalë nuk kanë lidhje me asistet apo golat. Për mua gjëja më e rëndësishme janë arritjet e skuadrës. Unë jam gjithmonë në shërbim të saj dhe dua të bëj gjithçka që Juventusi të fitojë. Që nga momenti i parë që kam ardhur këtu jam ndier si në familje. Dua të jap më të mirën në stërvitje dhe të kontribuoj për këtë ekip”.

ATALANTA- “Besoj se gjëja më e rëndësishme që kam arritur tek Atalanta ka qenë dashuria e madhe e tifozëve dhe trofeu europian i sezonit të kaluar. Edhe për mua ka qenë titulli i parë. Jam rritur aty si lojtar dhe si njeri. Qyteti ka qenë shumë i respektueshëm ndaj meje dhe mund të them që jam krenar për atë aventurë. Bëmë diçka speciale të gjithë bashkë dhe tani jam i fokusuar te Juventusi për këtë aventurë speciale”.

TRATATIVA- “Sigurisht që u desh pak kohë të transferohesha. Bota e futbollit ndonjëherë është e vështirë dhe asgjë nuk është e sigurt për lojtarët. Ndonjëherë duhet thjesht të presësh. Unë kisha besim”.

JUVENTUSI- “Ishte diçka e pabesueshme kur mësova që më kërkonin. Jam shumë i lumtur dhe krenar që ndodhem në këtë skuadër. Nuk kisha asnjë dyshim dhe nëse kishte një skuadër ku unë do të doja të transferohesha janë bardhezinjtë”.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"