Korabi-Burreli spostohet në Pezë. Portieri Dani, siguria e matjanëve para derbit të Qarkut Dibër
Burreli nesër është mysafir i Korabit, por ndryshe nga sa ishte parashikuar, derbi i qarkut Dibër i vlefshëm për javën e 32-të të Kategorisë së Parë, nuk do të luhet në Peshkopi, por në kryeqytet.
Dibranët, si organizatorë të këtij takimi, në dakordësi me FSHF-në, kanë rënë dakord që ta presin Burrelin në kompleksin “Internacional” në Pezë, ditën e shtunë ora 16:00. Një spostim disi i çuditshëm, duke ditur faktin se në Peshkopi nuk ka asnjë pengesë apo anomali klimatike, që të bëhet e pamundur që derbi i prefekturës të luhej në Pezë. Gjithsesi, ky spostim mbase i vjen përshtat skuadrës matjane, që me këtë ndryshim axhende eviton presionin e tifozërisë vendëse.
Sinan Dani- Fitorja kundër Lushnjës, disa ditë më parë, ka sjellë klimë optimiste në radhët e futbollistëve matjanë. Nëse fitorja ka ardhur në saj të dy golave të shënuar, pritja e penalltisë nga portieri 20-vjeçar Sinan Dani, i dha më shumë bukuri trepikëshit të marrë nga vendësit. “Kundër Lushnjës ishte mjaft e vështirë. Fitorja kundër tyre na jep krah për të përballuar me dinjitet dy ndeshjet e mbetura. Marrja e pikëve erdhi në saj të vlerësimit dhe besimit që kishim në vete”, tha fillimisht për “Panorama Sport”, portieri Sinan Dani, që u dallua në ndeshjen e fundit.
Në vijim të prononcimit të tij, ai ndalet dhe te ndeshja e radhës, në transfertë kundër Korabit. “Ndaj dibranëve do të jetë një ndeshje e fortë. Jo rastësisht Korabi është në vendin e gjashtë. Vetëm marrja e tri pikëve na largon nga zona e rënies direkt nga kategoria. I vetmi rezultat që na bën punë është marrja e pikëve të plota”, e mbylli portieri i ardhur nga akademia e Vllaznisë, Sinan Dani. Në rast fitoreje më e keqja do të evitohej, por Burreli i ka mundësitë edhe për të shpëtuar pa pasur nevojën e ndeshjeve shtesë në fazën “play out”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"