Korabi-Burreli/ Trajneri Canaj pret ekipin e vërtetë, Dedgjonaj mungesa e madhe e matjanëve në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2024 | 13:05

Korabi-Burreli/ Trajneri Canaj pret ekipin e vërtetë, Dedgjonaj mungesa e madhe e matjanëve në derbi

Korabi nuk e ka nisur me këmbë të mbarë sezonin e ri, pasi në 180 minutat e para kanë marrë vetëm 1 pikë. Në këto dy ndeshje të para, dibranët kanë barazuar 0-0 në shtëpi me Lushnjën, si dhe janë mundur në shifrat 1-0 në Kavajë kundër Besës.

Agim Canaj

Sipas drejtuesve të klubit, kjo nuk është forca e vërtetë e Korabit. Këtë javë përballë Burrelit pritet një ekip më sulmues në kërkim të fitores së parë në kampionat. Largimi i disa titullarëve si, Henry Marku te Tirana dhe Ilvi Kasalla te Vora ka krijuar një boshllëk në vijën sulmuese të Korabit. Gjatë seancave stërvitore të këtyre ditëve, trajneri Agim Canaj ka vlerësuar repartin e mbrojtjes, por nuk kanë munguar kritikuar për sulmin, ndaj ai gjatë procesit stërvitor i ka kushtuar më shumë vëmendje repartit ofensiv.

Në prag të derbit të prefekturës me matjanët, Canaj thotë se Burreli ka një ekip të mirëpërgatitur, që ka arritur të fitojë ndaj Flamurtarit në Vlorë. Korabi, sipas tij, ndryshe nga ndeshja me Besën ku i kushtoi më shumë rëndësi mbrojtjes, ndaj matjanëve do të jetë më sulmues. “Harmonia mes lojtaëve është perfektë, ndaj kam besim se futbollistët do të bëjnë kthesën e do të dalin te fitorja duke nisur nga takimi i radhës”, u shpreh shkurtimisht trajneri Canaj për “Panorama Sport”. Seancat stërvitore të këtyre ditëve në prag të sfidës së sotme, që luhet në orën 16:00 në Peshkopi, janë zhvilluar në normalitet. Gjithsesi, grupi nuk do të jetë sërish i plotë, pasi tre lojtarë janë të dëmtuar dhe më shumë peshon mungesa e Vilson Lilajt.

Burreli vendos heshtje para derbit, Dedgjonaj mungesa e madhe

dedgjonaj burreli

Burrelin e pret sot transferta e vështirë ndaj Korabit në Peshkopi. Derbi i Prefekturës Dibër, për vetë pretendimet që kanë skuadrat, parashikohet të jetë e luftuar. Ndërprerja së kampionatit i ka shërbyer pozitivisht matjanëve, që pas barazimit zhgënjyes ndaj Valbonës në “Liri Ballabani”, ka pasur kohën e mjaftueshme për t’u përgatitur për sfidën ndaj fqinjëve dibranë.

Në prag të ndeshjes, drejtuesit matjanë vendosën heshtje shtypi, vendim që ia kanë transmetuar edhe futbollistëve. Skuadra ka vijuar normalisht seancat stërvitore në stadiumin e qytetit. Në ndeshjen e sotme, për shkak të kartonit të kuq në ndeshjen e kaluar ndaj Valbonës dhe pezullimit me katër javë nga Disiplina, trajneri Bicaj nuk do të ketë shërbimet e qendërmbrojtësit, Aleks Dedgjonaj. Një seancë prej 60 minutash e zhvilluar pasditen e djeshme, shënoi fundin e përgatitjeve për ndeshjen e sotme.

SHKËLQIM HASANI/NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"