Korabi dhe Lushnja e nisin pa gola. Canaj: Rezultati i drejtë. Magani: Me pak kujdes, fitonim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2024 | 15:00

Korabi dhe Lushnja e nisin pa gola. Canaj: Rezultati i drejtë. Magani: Me pak kujdes, fitonim

Në javën hapëse të edicionit 2024-2025 për Kategorinë e Parë, Korabi-Lushnja ishte e vetmja sfidë që u mbyll në barazim dhe pa gola. Një ndeshje e luftuar nga të dy ekipet, por që u mbyll me porta të paprekura.

korabi besa

Trajnerët Agim Canaj dhe Gugash Magani ritakohen që në start, teksa sezonin e kaluar u “përplasën” në finish me ndeshjen Lushnja-Iliria, e vlefshme për “play out”-in e së Parës

NDESHJA – Takimi nisi i vrullshëm dhe që në fillim krijohen mundësi për të shënuar. Në minutën e tretë, Reçi pak nga e majta, vihet përballë Alimuçajt. Goditja shkon e shtrirë tokazi dhe topi pritet nga portieri vlonjat i Lushnjës. Një minutë më vonë, Lushnja shënon pas një gjuajtje-kros të Metës. Gjyqtari Çokaj anulon golin e lushnjarëve duke dhënë goditje dënimi për Korabin, në zonën e dibranëve. Më pas, në një përplasje dëmtohet Meta dhe Kryemadhi. Në fushë hyjnë stafet mjekësore, loja ndërpritet disa minuta. Gjithsesi ritmi është sërish i kënaqshëm. Në fushë luhet me dëshirë. Lushnjarët në gjysmëfushën e Korabit, por momenti për t’u veçuar është ai i minutës se 22-të.

Disha godet nga jashtë zonës, por topi përplaset në shtyllën pingule në të djathë të Qyranit. Lushnjarët tentojnë disa herë deri në fund të pjesës së parë, por nuk arrijnë dot të shënjestrojnë. Pjesa e dytë nis pa ndryshime për Korabin, ndërsa Magani aktivizon brazilianin Mateus Mota në vend të Januzaj. Përpjekjet për të shënuar nuk mungojnë nga të dy palët, por rrjetat nuk preken. Portierët Alimuçaj dhe Qyrani janë në një ditë të mirë. Sfida mbyllet në barazim pa gola. Lushnja e nis me një barazim në transfetë, ndonëse dha shumë në fushën e lojës. Ndërsa trajneri Canaj duket se ka shumë punë për të bërë, në këtë rikthim te Korabi.

KORABI-LUSHNJA 0-0

KORABI: Qyrani, Paplekaj, Kryemadhi, Shehu (Peralta 60′), Reçi (Ndrejaj 83′), Kurti, Sina, Mziu( Stana 84′), Buci( Çikani 68′), Çema (Halilaj 84′), Lilaj; (Në dispozicion: Alla, Hasaj, Tota). Trajner: Agim Canaj

LUSHNJA: Alimuçaj, E.Magani, Disha (Korreshi 81′), Hida, Meta, Januzi (Mateus Mota46′), Deliaj, Joti (Xhemalaj 72′), Tabaku (Kamisoko 82′), Xhabrahimi, Olola (Xherrison Uilli 58′); (Në dispozicion: Haremi, Kumani, Hysa). Trajner: Gugash Magani

Kartonë të verdhë: Mziu 54’, Stana 85’/Januzi 13′, Korreshi 84′, Xhemalaj 90+1′

Gjyqtarë: G.Çokaj, R.Çokaj, K.Zefej (Lezhë);

Vëzhgues: Fatmir Tare(Durrës)

Delegat: Endri Hyka(Tiranë)

 

 

Canaj: Rezultati i drejtë, ja çfarë ndikoi te Korabi

Agim Canaj, trajneri i Korabit, pas ndeshjes tha rezultati ishte i drejtë. “Fillimi i kampionatit është gjithmonë i vështirë për çdo ekip, sidomos për Korabin që përbëhet nga lojtarë të rinj. Ndeshja pati disa episode dhe faza pozitive e negative. Ne nuk ishim në pritshmëritë tona për ta fituar takimin. Pjesa e parë nxori në pah disa defekte në të dy fazat e lojës, teksa i lanë hapësira kundërshtarit. Në pjesën e dytë ekipi pati një ngritje të dukshme dhe arritëm të krijonim disa raste. Ishte ndeshja e parë për shumë lojtarë të rinj që kanë ardhur në skuadër. Edhe dëmtimet që kemi pasur kanë ndikuar në lojën e dyzuar të ekipit. Besoj se rezultati ishte i drejtë. Të dy ekipet patën raste për të shënuar. Shpresoj dhe besoj se në të ardhmen Korabi do të konsolidohet. Po punojmë fort që të krijojmë harmoni dhe sinkronizim në ekip”, u shpreh trajneri Canaj.

 

Magani: Me pak kujdes, fitonim

Gugash Magani, trajneri i Lushnjës, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, pohoi se me Korabin skuadra verdhejeshile me pak kujdes mund ta fitonte takimin. “Duke pasur parasysh se rezultatet me Korabin nuk kanë qenë pozitive për ne, mendoj se barazimi është rezultat i pranueshëm. Megjithatë, jam pjesërisht i kënaqur. Me pak kujdes mund të dilnim me tri pikë nga Peshkopia”, tha Magani.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"